Pacientët që vuajnë nga sëmundja e diabetit në komunën e Ferizajt, kanë mbetur pa u furnizuar me insulinë.
Drejtori i Qendrës Kryesore së Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Dr. Asllan Bajrami, thotë se kjo ka ndodhur për shkak të buxhetit të vogël që i është caktuar nga Ministria e Shëndetësisë, shkruan Gazeta Shneta.
Bajrami sqaron se sipas rekomandimeve të Departamentit të Farmacisë në MSH, QKMF është dashur të bëj gjenerimin e planifikimit të gjashtëmujorit të parë, në përputhje me buxhetin e përcaktuar nga MSH, i cili është 240 000 € për vitin kalendarik 2018, gjysma e të cilit (120 000 €) i takon gjashtëmujorit të parë.
“Planifikimi i bërë nga personat përgjegjës të Sektorit të Farmacisë (QKMF) në bashkëpunim me ushtruesen e detyrës së drejtorit, u dorëzua më 18.12.2018 dhe në të janë përfshirë 12 artikuj prioritarë, në mesin e të cilëve ishte edhe insulina. Mirëpo, ky planifikim nuk është pranuar në Ministrinë e Shëndetësisë për shkak të numrit të vogël të artikujve të përfshirë dhe për këtë arsye është kërkuar një planifikim i dytë”, ka deklaruar Bajrami.
Por MSH nuk e pranoi as planifikimin e dytë për shkak të lëshimeve të bëra në shumën totale e cila e ka tejkaluar vlerën e buxhetit të caktuar për gjashtëmujorin e parë.
“Kjo shumë në vend se të jetë 120 000 € sa është buxheti i caktuar për një gjashtëmujor, ka arritur vlerën afër 11 milion euro dhe si e tillë është dashur të refuzohet”, thotë Bajrami në një njoftim në Facebook.
Ai ka shtuar se tashmë është bërë planifkimi i tretë i cili është dorëzuar më datën 6 shkurt dhe bashkë me të është dorëzuar edhe një kërkesë për të ndihmuar në sanimin e problemeve teknike dhe krijimin e mundësive të gjenerimit të planifikimit për gjashtëmujorin e parë, për furnizim me barna dhe material harxhues mjekësor nga ana e QKMF – së.
“Unë po shpresoj shumë në mirëkuptimin e personelit të Departamentit të Farmacisë, në MSH, dhe përpjekjet e tyre që të gjenden mënyrat e duhura për përshpejtimin e procedurave tekniko-administrative në mënyrë që sa më parë të arrijnë barnat dhe materiali mjekësor, që t’i përmbushim nevojat tuaja”, ka përfunduar Bajrami.
Me mungesë të insulinave janë duke u përballur pothuajse të gjithë pacientët. Edhe në komunën e Gjakovës janë rreth 1 mijë pacientë që presin të furnizohen me këtë medikament. /Gazeta Shneta/