Mungesa e informimit tek nënat, ka shtuar numrin e lindjeve cezariane

2017-12-07 në ora 12:01

Gjatë ditës së sotme është mbajtur një diskutim për shkallën në rritje të lindjeve me prerje cezariane në Kosovë.

Në tryezën e organizuar nga “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” dhe “Solidar Suisse”, kanë folur profesionistë shëndetësorë, politik-bërës dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Në tryezë është bërë e ditur se lindjet cezariane janë rritur nga 7.7 për qind në 27.3 për periudhën 2000-2015.

Gjinekologu Sejdullah Hoxha ka deklaruar se një nga faktorët e kësaj rritjeje është mungesa e informatave tek pacientet të cilat insistojnë në lindje cezriane.

“Prerjet cezariane do të mund të zvogëlohen nëse punohet më shumë në fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet Shoqatës së Gjinekologëve, Shoqatës së Mamive dhe Anesteziologëve”, ka deklaruar Hoxha.

Mamia Magbule Elezi ka shprehur nevojën për të punuar më shumë në ndërtimin e komunikimit mami-nënë.

Ilir Hoxha, nga Solidar Suisse, njëherit edhe hulumtues i faktorëve sistemik që ndikojnë në procedura klinike, listoi se faktorët që po ndikojnë në rritje të kësaj procedure klinike janë statusi spitalor, posedimi i sigurimit privat shëndetësor të pacientit, karakteristikat shoqërore e ekonomike të pacientit, asimetria e informatave, si dhe resurset spitalore.

Sami Uka, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë – OBSH, foli mbi rëndësinë e standardizimit të kujdesit shëndetësor përmes adaptimit dhe aplikimit të udhërrëfyesve dhe protokoleve klinike.

Agron Bytyqi, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, përmendi disa nga kategoritë e ankesave të pacientëve, ku ndër to theksoi shërbimet e vonuara, referimet nga institucionet publike në private, si dhe komunikimi i mangët mjek-pacient.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në “ekonomiaonline.com”.