Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është duke e përballuar me vështirësi epideminë e koronavirusit Covid-19, për shkak të mungesës së specializantëve të epidemiologjisë dhe mikrobiologjisë. Në Kosovë nuk ka pasur konkurs për specializime që nga viti 2016 kohë kjo kur ministër ka qenë Imet Rrahmani, ndërkaq pasardhësi i tij Uran Ismaili nga PDK nuk kishte shpallur fare konkurs
Ky Institutit ka sqaruar situatën në të cilën gjenden aktualisht duke njoftuar se do të kishin nevojë edhe për së paku 17 specialistë të tjerë të epidemiologjisë, si dhe për 32 mikrobiologë të tjerë. Instituti ka sqaruar se në këtë institucion punojnë 22 epidemiologë për të gjithë vendin, përfshirë edhe të punësuarit në 6 qendrat rajonale. Ndërsa 5 epidemiologë të tjerë punojnë në QKMF në 5 komuna: Obiliq, Podujevë, Istog, Drenas dhe Viti.
“Për nevojat bazike në një situatë të zakonshme nevojiteshin edhe 17 specialistë të tjerë. (5 specializantë për Epidemiologji për nivelin qendror dhe për çdo Qendër rajonale nga 2 specializantë)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Roli i epidemiologëve është kyç në hulumtim e mbikëqyrje të rasteve e kontakteve me sëmundje ngjitëse. Metodat specifike të detektimit, hulumtimit e gjurmimit epidemiologjik, e bëjnë angazhimin e tyre gjatë pandemisë të pazëvendësueshëm.
Ndërkaq në IKSHPK punojnë 29 mikrobiologë. (Në Prishtinë – 12 vetë dhe në 6 Qendrat -17 vetë). “Nevojat bazike, në situatë të zakonshme kërkojnë edhe 32 mikrobiologë të tjerë. (për nivelin qendror – IKSHPK në Prishtinë + 8 specializantë për Mikrobiologji e për çdo QRSHP edhe nga 4 specializantë). Poashtu, nevojiten edhe 29 specializantë për Mikrobiologji Klinike në SHSKUK (5 në Prishtinë) dhe për çdo Spital të Përgjithshëm Rajonal nga 4 specializantë (gjithsej 6 SPR x 4 = 24)”, thuhet në reagimin e Institutit.
Por në Kosovë nuk ka pasur konkurs për specializime që nga viti 2016, kohë kjo kur ministër i Shëndetësisë ka qenë Imet Rrahmani. Ky i fundit i ka dorëzuar pozitën Uran Ismailit të PDK-së në shtator të vitit 2017. Ismaili ka qenë ministër i plotfuqishëm deri në korrik të vitit 2019, ndërsa e ka mbajtur pozitën si ministër në detyrë deri më 3 shkurt 2020. /Gazeta Shneta/