Stafi i Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive janë shfaqur sot si ‘musketierët – të gjithë për një dhe një për të gjithë’ duke i dal në mbrojtje drejtorit Tefik Bekteshi pasi u pezullua nga puna nga Komisioni Disiplinor.
Një reagim dhe ultimatum i pa nënshkruar nga asnjë emër por vetëm me një mbishkrim “Stafi i Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive”, i është drejtuar ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtorit të SHSKUK-së Valbon Krasniqi, shkruan Gazeta Shneta.
Në këtë ultimatum thuhet se stafi i klinikës e kundërshton kolektivisht vendimin “arbitrar dhe të pabazuar në fakte të Komisionit Disiplinor”.
Në këtë letër drejtuar mediave, internisti Dr. Tefik Bekteshi konsiderohet si pionier i kardiologjisë invasive në Kosovë dhe personi më meritor për sukseset e klinikës.
“Në kushte të tilla të presionit psiqik nuk kemi mundësi të vazhdojmë punën tonë të përditshme. Mirëpo duke u mbështetur në etikën tonë, ne nuk mund të lejojmë shëbrimin emergjent të pambuluar. Prandaj e kundërshtojmë fuqishëm dhe kërkojmë anulimin e menjëhershëm të vendimit të Komisionit Disiplinor për pezullimin e Dr. Tefik Bekteshi dhe ju informojmë se deri në anulimin e vendimit do t’i punojmë vetëm rastet akute (emergjente)”, thuhet në ultimatumin e stafit të klinikës.
Deri më tani menaxhmenti i SHSKUK nuk ka dal me asnjë reagim në lidhje me këtë gjendje të krijuar në këtë klinikë. Kujtojmë se Bekteshi u pezullua nga puna pas parregullësive dhe dyshimeve për keqpërdorime të ngritura nga raporti i auditorit të brendshëm.
Ky raport ka gjetur shumë shkelje në procedurat e pagesave për stimulimin e stafit. /Gazeta Shneta/
Pezullohet nga puna drejtori i Kardiokirurgjisë pas raportimit të parregullsive nga Gazeta Shneta