“Nata e ferrit” në Infektivë, 4 pacientët vdiqën në të njëjtën kohë, dyshimet e para lidhen me rënien e oksigjenit qendror
Stafi mjekësor në Klinikën Infektive në QKUK e kanë përjetuar “natën e ferrit” mbrëmë pasi përfunduan me fatalitet 4 pacientë në të njëjtën kohë, shkruan Gazeta Shneta.
Mjekët dhe infermierët e Klinikës janë shokuar pasi nuk kanë mundur të shpëtojnë 4 pacientët. Në gjendje të rëndë ka qenë edhe një pacient tjetër, por për fat të mirë është arritur të menaxhohet nga mjekët.
Pas natës së gjatë e të rëndë stafi mjekësor kanë ftuar Policinë e Kosovës për të raportuar rastet e vdekjeve për shkak të dyshimeve. I gjith stafi është intervistuar nga Policia.
Dyshimet e para lidhen me rënien e oksigjenit qendror, ku kanë qenë të lidhur pacientë me CPAP (nën kujdes me ‘continuous positive airway pressure’). Kjo pajisje fatkeqësisht nuk ka mundësi të lidhet me bombola, por vetëm në oksigjenin qendror.
Pacientë që furnizohen me oksigjen përmes CPAP, nuk mund te furnizohen me oksigjen manualisht nëse ka rënie te oksigjenit qendror.
Probleme me oksigjenin qendror ka pas edhe më herët në QKUK. Mjekët disa herë kanë tërhequr vërejtjen për rënie të oksigjenit në salla dhe në intensivë. Vitin e kaluar Gazeta Shneta pati raportuar për defekt në rezervarin kryesor të QKUK-së, i cili dyshohej se rridhte oksigjenin dhe nuk tregonte sasinë e saktë të oksigjenit.
Poashtu kujtojmë se në vitin 2017 tre pacientë patën vdekur në të njejten kohë në tre salla të ndryshme gjatë operacionit. Për këto vdekje dyshohet cilësia e gazit oksidul, për çka ishte arrestuar pronari i kompanisë që e furnizonte QKUK-në pasi i njejti prodhonte oksidulin pa licencë në Kosovë. /Gazeta Shneta/