Sipas një studimi të ri, edhe një zhvendosje e lehtë e motit drejt lagështisë më të ulët mund të bëjë që rastet e Covid-19 të dyfishohen për shkak të kushteve të favorshme të përhapjes së virusit.
Hulumtimet e reja të cilat u botuan sot në revistën “Transboundary and Emerging Diseases”, zbulojnë se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë me një rënie të lagështisë dhe një rritje në transmetimin të koronavirusit të ri në komunitet.
Rezultatet tregojnë se vetëm një rënie e lagështisë relative prej një përqind mund të rrisë rastet e COVID me 7 deri në 8 përqind, dhe një rënie prej 10 përqind e lagështisë do të dyfishonte numrin e rasteve të koronavirusit në çdo zonë të caktuar përcjell Gazeta Shneta.
“Ajri i thatë duket se favorizon përhapjen e COVID-19, kjo do të thotë se koha dhe vendi bëhen të rëndësishme,” tha Michael Ward, një epidemiolog në Universitetin e Sidneit dhe bashkëautor i studimit, në një deklaratë.
“Provat akumuluese tregojnë se klima është një faktor në përhapjen e COVID-19, duke rritur mundësinë e shpërthimit të sëmundjeve sezonale“.
“Kur lagështia është më e ulët, ajri është më i thatë dhe i bën aerosolet më të vogla. Kur teshtitni dhe kolliteni, ato aerosole më të vogla infektive mund të qëndrojnë të pezulluara në ajër për më gjatë dhe kjo rrit ekspozimin për njerëzit e tjerë” u shpreh epidemiologu Ward./Gazeta Shneta/