Në dy javët e fundit u trefishua numri i rasteve aktive me Covid-19 në Kosovë

2022-06-22 në ora 15:37

Në dy javët e fundit është trefishuar numri i rasteve aktive me Covid-19 në vendin tonë.

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar këto të dhëna të mbledhura nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, transmeton Gazeta Shneta.

Me këtë rast MSH iu ka bërë thirrje qytetarëve që të imunizohen me vaksina, qoftë dozën e parë, të dytën apo të tretën.

“Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë dy javëve të fundit, është shënuar rritje e rasteve të COVID-19, që ka ndikuar rrjedhimisht  edhe në rritjen e rasteve aktive.

Me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes nga infeksioni, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që nuk kanë marrë ende asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19, që të vaksinohen, ndërsa qytetarët që i kanë marrë një apo dy doza të vaksinës, ta marrin dozën e dytë, respektivisht dozën e tretë të vaksinës.

Imuniteti i fituar përmes vaksinimit, me kalimin e kohës vjen duke rënë, prandaj vaksinimi me dozën e radhës (doza e dytë apo e tretë) ndihmon në rindërtimin e imunitetit”, thuhet në thirrjen e MSH-së. /Gazeta Shneta/