Në Klinikën e Emergjencës në QKUK, mjekët e infermierët vazhdojnë të kërcënohen nga familjarë të pacientëve
Klinika Emergjentë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, u shërben të gjitha rasteve të kësaj natyre nga tërë territori i Kosovës. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Emergjenca ka trajtuar mbi 56 mijë raste dhe kjo shënon numër rekord.
Drejtori i Klinikës, Basri Lenjani, thotë se ky numër nuk do të duhej të ekzistonte në kushte normale, por kjo ndodhë për shkak të orientimit të pacientëve nga tërë vendi pa ndonjë kriter.
“Klinika Emergjente është e vetmja që trajton personat që e kanë jetën në rrezik me goditje në zemër, arrest kardiak, goditje në tru, problemet në aspektin neurologjik, akute, sëmundjet e zemrës, infarktit, apo ato traumatologjike, dhe menaxhimin e rasteve të helmimeve me barëra apo mjete kimike”, tregon Lenjani për Gazeta Shneta.
Kjo klinikë ka filluar me shërbime më 15 mars të vitit 1999 me ndihmën e shoqatave bamirëse të Britanisë së Madhe dhe tri universiteteve nga SHBA-ja. Gjatë muajit mars, pak para se të ndodhnin trazirat në viti 2004, në klinikë kanë filluar punën edhe specializantët e parë. Prandaj, më 15 mars mbahen edhe Ditët e Emergjencës.
“Në shërbimet emergjente, aty ku fillon vdekja, duhet të fillojë jeta duke iu falënderuar masave reaminatore që duhet të zbatohen në 3 minutat e artë”, shprehet Lenjani.
“Shteti i Kosovës ka filluar ta kuptojë se Emergjenca është dera e parë ku hyjnë pacientët me raste të emergjencës, gjendje të cilat në çdo moment pritet rrezikimi i jetës”, shton ai.
Lenjani gjatë bisedës për Gazeta Shneta thotë se Emergjenca trajton 120 deri në 200 raste në ditë dhe prej tyre, 75 për qind janë me sëmundje akute dhe 25 nga traumat që pësojnë nga lëndimet apo aksidentet.
Lenjani konsideron se shërbimi emergjent duhet të jetë strategjik për shtetin dhe duhet të ketë më shumë mbështetje.
Lenjani pohon se personat që vijnë me sulm në zemër, menaxhohen mirë sepse vijnë të vetëdijshëm dhe kanë karakteristikat e tyre.
“Por ata persona që vijnë me arrest kardiak, duhen 3 minuta që gjasat për mbijetesë janë mbi 32 përqind. E kjo varet nga koha kur ka ndodhur rasti dhe deri sa të vijë në klinikën tonë”.
Lenjani shprehet se Emergjenca çdo ditë gjeneron jetë, mirëpo ka edhe raste kur bëhet fjalë për lëndime multisistemike, të shumëfishta dhe në situata të tilla është e pamundur ta shpëtohet.
Nevojë për staf e pajisje të reja
Klinika ka 134 vetë në shërbim të pacientëve, por drejtori pohon se janë të varur nga shërbime të tjera dhe kjo bënë që Emergjenca të mos ketë staf autokton.
“Kemi nevojë për më shumë infermierë dhe pas kërkesave të vazhdueshme, gjithmonë është përgjigjja e njëjtë: S’ka buxhet të mjaftueshëm. Jemi në hall për këtë sepse ne kemi 9 shtretër me kujdes të avancuar të cilët kërkojnë më tepër se 15 infermierë, dhe për momentin në dhomën e reaminacionit kemi vetëm 5 infermierë të cilët e kryejnë punën e tyre në mënyrë të trefishtë”, deklaron Lenjani.
“Ne aktualisht funksionojmë në 500 metra katrorë që është minimumi”.
Përveç mungesës së stafit, Emergjenca funksionon edhe me pajisje mjekësore të amortizuara.
“Emergjenca në vazhdimësi ka kërkuar pajisje të reja mjekësore, meqenëse kemi pajisje që janë amortizuar dhe detyrohemi të bëjmë harrnime”, deklaron Lenjani.
Mjekët e infermierët e Emergjencës, janë vazhdimisht të rrezikuar nga familjarë të pacientëve. Sipas Lenjanit, kjo ndodhë jo në rastet e familjarëve me pacientë në gjendje të rëndë, por me ata që sjellin të afërmit e tyre me raste të lehta e që kërkojnë shërbime të shpejta.
“E në vend që ne të merremi me raste shumë serioze, duhet të merremi me raste që nuk kanë nevojë emergjente. Stafi në vazhdimësi është i kërcënuar”, thotë Lenjani, i cili sivjet i mbush 12 vite në këtë pozitë.
“Qëllimi im që prej kur kam ardhur në këtë pozitë në vitin 2005, ka qenë që të jap kontribut në avancimi dhe fuqizimi e shërbimeve emergjente. Ka qenë sfidë sepse nga të gjitha klinikat, ne kemi më së shumti përgjegjësi sepse kemi të bëjmë me raste emergjente. Mundem me thanë që kam kryer një pjesë të madhe të obligimit tim”, deklaron ai.
Por Lenjani thotë se do të tërhiqet në një afat të shkurtër sepse ka nevojë t’i rikthehet jetës normale pa telefonata urgjente në gjysmë të natës.
Ai tërheq vërejtjen për Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë që stafi i Emergjencës të mos vlerësohet i barabartë me mjekët e tjerë dhe të ketë stimulime për ta. /Gazeta Shneta/