Klinika Infektive ka pasur vazhdimisht mungesë të stafit mjekësor, por në situatën me epideminë e koronavirusit Covid-19, gjendja është vështirësuar edhe më shumë. Kjo për faktin se ka mungesë të bartësve të pacientëve.
Infermierja në njësinë e kujdesit intensiv Rija Hashani, thotë për Gazetën Shneta se përveç terapisë dhe kujdesit ndaj pacientëve, infermierët duhet ta bëjnë edhe punën e bartësit. Ajo thotë se për këtë çështje disa herë kanë kërkuar zgjidhje, por nuk kanë marr përgjigje nga menaxhmenti.
“Kujdesi intensiv nuk nënkupton vetëm dhënien e terapisë nuk nënkupton vetëm monitorimin e pacientëve nga dritarja pa u futur në dhomë, por ne duhet të qëndrojmë me orë të tëra në dhomën e pacientit e jo si në repart apo klinika tjera vetëm kur jepet terapia dhe thërret pacienti”, shprehet Hashani.
Ajo thotë se përkundër gjendjes së tyre, qoftë edhe kur janë shtatzëna, duhet të bëjnë punën e bartësit duke bartur pesha të rënda si pajisjet e oksigjenit, apo ndërrimin e pozitës së pacientit 1 herë në orë siç kërkohet nga mjekët.
“Duhet hequr pelenën duke rrotulluar herë nga një anë, herë nga tjetra. Nëse pacientit i kërkohet një RTG CD ose MRI apo të dializohet ose ndonjë shërbim mjekësor që nuk është i mundur të realizohet në klinik është detyrë e infermierëve të bëjë dërgimin dhe nga shtrati mobil i hospitimit të pacientit të barten në shtratin lëvizës edhe nëse pesha e tij është shumë e rëndë”, tregon Hashani.
Ajo thotë se kanë edhe vështirësi të tjera sidomos në rastet kur ka pacient të vdekur dhe duhet të futen në qeska të kufomave dhe për këtë detyrohen të kërkojnë ndihmë nga mjekët ose stafi i higjienës.
Edhe infermierë të tjerë janë ankuar për stërngarkesë në punë duke punuar vetëm një infermier në kujdestari në një repart me dhjetëra pacientë.
Në anën tjetër menaxhmenti i SHSKUK-së thotë se është planifikuar shtimi i stafit infermieror dhe kjo tanimë është realizuar, ndërkaq angazhimi i bartësve në Klinikën Infektive ende nuk ka ndodhur.
“Është hartuar plani i veprimit i cili po funskionon mjaftë mirë, kemi kërkuar nga secila klinikë të dërgoj listën në formë tabelare të Infermierëve për gadishmëri të cilëve u kemi organizuar trajnim bazik për PPE (Pasije për Mbrojte Personale) të udhëhequr nga Shërbimi për Parandalimin e Infeksioneve Intrahospitalore i QKUK-së , ku secili infermier që aktivizohet në Klinikën Infektive, apo Klinikat me Covid-19 do të jetë paraprakisht i trajnuar për PPE”.
“Deri tani mbi 500 infermierë të QKUK-së janë trajnuar, dhe janë në gjendje gatishmërie. Tani më veç janë dërguar Infermier nga Klinikat tjera të QKUK-së dhe do të dërgohen varësisht nga kërkesat e Kryeinfermieres, dhe në asnjë formë nuk do lejojmë që Klinika Infektive mos të ketë mbështetje Infermierore”.
“QKUK ka numër të kufizuar të bartësve që kanë qenë vendosur në emergjencë dhe Mjekimet Intenzive, kurse do të ketë rioorganizim të tyre”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Kujtojmë se Klinika Infektive është qendër referente për gjithë territorin e Kosovës për trajtimin e pacientëve me Covid-19 dhe sëmundje tjera ngjitëse. Aktualisht në këtë klinikë janë duke u trajtuar 54 pacientë, prej të cilëve 10 janë me oksigjenoterapi dhe tre pacientë në mjekimin intensiv në gjendje kritike. /Gazeta Shneta/