Në Kosovë nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus, por në laboratorin e Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik sot janë duke u testuar 10 raste të dyshimta.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Arben Vitia tha sot se deri tash në Kosovë nuk është konfirmuar akoma ndonjë rast me Koronavirus Covid-19. Ai tha në një konferencë për media se masat e marra nga Qeveria e Kosovës kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
“Në këtë kuadër, përveç këtyre masave të një dite më parë, sot, të gjitha institucioneve shëndetësore publike dhe private do t’u dërgohet Qarkorja Informative me rekomandime specifike që kanë për qëllim mbrojtjen e stafit shëndetësor, sigurinë e pacientëve dhe qytetarëve që kërkojnë shërbime në këto institucione”, tha Ministri.
Ai theksoi se sëmundjet janë pjesë e përditshmërisë, por ato marrin një dimension tjetër kur shfaqen për herë të parë, madje edhe kur bëhet fjalë për asgjë më shumë sesa për një virus i cili është trajtuar në shtetet e prekura dhe praktika ka dëshmuar edhe për shërimin e tij. “Por, e panjohura me të drejtë shkakton një drojë tek gjithsecili”, theksoi Ministri Vitia duke kërkuar nga qytetarët që angazhimin e institucioneve dhe masat e ndërmarra t’i kuptojnë vetëm si kujdes i shtuar për shëndetin publik, gjë që ka sjellë edhe rezultatin që sipas të dhënave të OBSh-së, Kosova të bëjë pjesë në mesin e vendeve me rrezik të ultë në raport me Koronavirusin – Covid 19.
Gjithashtu, Ministri Vitia ka apeluar tek qytetarët që përveç masave që janë ndërmarra që prej janarit kundër Koronavirusit Covid -19, të kenë mirëkuptim për disa rekomandime të tjera, të cilat kanë dalë nga propozimet e profesionistëve shëndetësor dhe janë të nevojshme në situata emergjente.
Këto masa janë po aq të rëndësishme sa edhe vendimet e marra nga Qeveria dhe rekomandimet që u janë dërguar institucioneve shëndetësore”.
Ai tha se dëshiron të falënderoj personelin shëndetësor, për punën dhe angazhimin e tyre të cilët në raste të këtilla bartin barrën kryesore, dhe theksoi se në kuadër të institucioneve shëndetësore, menaxherëve do t’u kërkohet që të bëjnë zgjidhje dhe përshtatje të orareve të ndryshme me qëllim që profesionistëve shëndetësor t’u krijohet mundësia e përkujdesjes edhe për familjen.
Ministri tha gjithashtu se janë bërë përgatitjet dhe së shpejti qytetarët e Kosovës do ta marrin përmes një SMS nga Posta numrin në të cilin do të mund të thërrasin të marrin këshilla mjekësore dhe udhëzime si të veprojnë kur kanë shqetësime lidhur me Koronavirusin.
“D.m.th. përveç numrave 112, 192 (Policia) 193 (Zjarrfikësit) dhe 194 (Shërbimet emergjente), tani qytetarët do t’i marrin këshillat e nevojshme dhe përmes numrave të tjerë të cilët Ministria do t’ua vë në dispozicion 24/7”, tha ai
Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se deri sot në Kosovë janë testuar 82 mostra në raste të dyshimta për COVID-19, dhe që të gjitha kanë rezultuar negative, kurse gjatë ditës së sotme, po testohen edhe 10 mostra të tjera, rezultatet e të cilave pritet të dalin në orët e mbrëmjes.