Në muajin tetor i cili shënon ndërgjegjësimin e grave për sëmundjen e kancerit të gjirit, iu është bërë thirrje atyre që të bëjnë kontrolla për diagnostikim të hershëm.
Në kuadër të këtij muaji, sot është mbajtur një takim ndërmjet ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj, ish-presidentes Atifete Jahjaga dhe Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit Jeta/Vita, shkruan Gazeta Shneta.
Me këtë rast ministri Zemaj ka thënë se lufta kundër kancerit të gjirit, është kauzë e përbashkët dhe jemi bashkë.
“Nuk është e lehtë, por, nëse i respektojmë rekomandimet, gjasat ta fitojmë betejën kundër kancerit i ka secila grua dhe vajzë. Gatishmëria juaj për ta hetuar herët, për të mos u nënshtruar, është hapi i parë drejt suksesit. Jemi dëshmitar për rastet e shumta fatale. Patjetër duhet ta ulim këtë fatalitet me ndërgjegjësimin për rrezikun nga kanceri i gjirit. Me hetimin e hershëm të kësaj sëmundje tinëzare, fitohet beteja”, ka deklaruar Zemaj.
Ai iu ka bërë thirrje grave që të kenë kujdes për shëndetin e tyre. “Nëna, Motra, gra, të çmuarat tona, kini kujdes! Mos i jepni asnjë shans kancerit, bëni kontrolle, respektoni rekomandimet e mjekëve! Asnjë nënë, grua apo motër, nuk guxojmë ta lëmë vetëm, as nuk do të jetë vetëm”, ka deklaruar Zemaj. /Gazeta Shneta/