Në QKUK mungon aparatura për diagnostikimin e hershëm të kancerit

2017-03-31 në ora 08:32

Klinika e Mjekësisë Nukleare po kërkon blerjen e aparaturës PET-CT, me anë të të cilës do të mundësohej diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve malinje dhe si rrjedhojë, trajtimi do të ishte më i lehtë

Bujar Vitija

Në projektin për blerjen e aparaturave me anë të një kredie mbi 46 milionë euro, janë parashtruar kërkesa nga të gjitha klinikat e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Kërkesat e Klinikës së Mjekësisë Nukleare, arrijnë shumën prej 3 milionë e 700 mijë euro. Këtu përfshihen blerja e një Aspiratori “Fume Hood”, i cili do të ishte i nevojshëm për mbrojtje nga jonizimi i ajrit gjatë përgatitjes së dozave radioaktive, thuhet në dokument të cilin e posedon Gazeta Shneta.

Poashtu, kërkohet aparati Gamma Camera apo SPECT/CT, që sipas përshkrimit në dokument, do të ishte interes kombëtar për diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme duke përfshirë inflamacionet e deri te proceset tumorale.

Aktualisht kjo klinikë funksionon me vetëm një aparat Gamma Camera i cili nuk mund t’i përmbush nevojat e pacienteve, marrë parasysh edhe defektet e herëpashershme.

Por një nga aparatet që do t’i hynte më së shumti në punë kësaj klinike, është Sistemi PET-CT, i cili sipas drejtorit të klinikës dr. Fakir Spahiu, është i domosdoshëm në mjekësinë bashkëkohore.

Me këtë sistem do të mund të diagnostikoheshin shumë më herët sëmundjet malinje dhe trajtimi e monitorimi i tyre do të ishte shumë më i lehtë.

“Rëndësia e kësaj aparature është se e bënë precizitetin e limfonozës të cilat janë të shpërndara në organizëm, do të thotë ku ka metastazë i gjen PET-CT. Kjo pastaj do të mundësonte precizitetin më të lartë të rrezatimit”, deklaron Spahiu.

Doktori thotë se të gjithë e dinë rëndësinë e kësaj aparature, përfshirë edhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Spahiu tregon se si pacientët paguajnë 700 deri 1200 euro në vendet e rajonit për ta kryer këtë ekzaminim.

“Paramendo, klinika e Onkologjisë ua bënë vërtetimin pacientëve për ta kryer këtë ekzaminim dhe me atë vërtetim Ministria ua paguan 70 për qind. Aparatura është e shtrenjtë, por ia vlenë me ble”, pohon Spahiu.

Ai shton se pothuajse krejt rajoni e ka këtë pajisje, përveç Kosovës e Shqipërisë.

“Serbia e ka në spital publik. Maqedonia do ta vë në funksion këtë vit. Bosnja dhe Kroacia poashtu e kanë”, ka deklaruar Spahiu.

“Kjo do të ishte interes kombëtar sepse njerëzit po na shkojnë gjithkah. Jemi tmerr”, konsideron Spahiu.

Ky projekt për kredi është aprovuar nga Këshilli Nacional për Investime dhe zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti, ka deklaruar se janë duke planifikuar që ta realizojnë nëpërmjet mekanizmave sikurse investimi në Spitalin e Vushtrrisë. /Gazeta Shneta/