Analizat autoimune nuk mund të kryen në asnjë nga institucionet publike shëndetësore në vend. Kjo është arsyeja pse pacientët detyrohen që të frekuentojnë spitalet private ose të konsiderojnë shërimin jashtë vendit.
Sëmundjet kur sistemi imun fillon t’i luftojë qelizat e shëndetshme vlerësohet se janë të shprehura kohëve të fundit, andaj për këtë edhe kërkohet të bëhen analizat autoimune.
Ndonëse vlerësohet se kërkesat për analizat autoimune janë të mëdha në vend qytetarët nuk mund t’i bëjnë këto analiza në institucionet shëndetësore publike në Kosovë. Për këtë shkak ata janë të detyruar që t’u drejtohen spitaleve private në vend dhe jashtë vendit.
Drejtori i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shemsi Veseli, ka thënë për “Zërin” se këto analiza janë të rëndësishme dhe se kërkesat për to janë të mëdha. Ai ka thënë se si drejtor i kësaj klinike është i interesuar që ta shtojë këtë shërbim për pacientët.
“Analizat autoimune janë të rëndësishme për shkak të sëmundjeve që organizmi e sulmon vetveten dhe janë të shprehura kohëve të fundit shumë, tani po na vjen keq që t’u themi qytetarëve për t’i bërë ato analiza jashtë Prishtinës kur munden të bëhen këtu. Në vizionin tim si udhëheqës i kësaj klinike së bashku me grupin profesional që jemi e kemi paraparë për shkak të kërkesave dhe nevojave të mëdha që kanë qytetarët që patjetër të hyjnë këto analiza dhe të na përkrahë Ministria dhe drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik e Universitar me blerjen e aparatit dhe me reagjentët”, ka thënë ai, shkruan tutje “Zëri”.
Sipas tij, me aparaturën që bëhen analizat autoimune mund të bëhen edhe testet infektive dhe se, siç ka thënë ai, aparatura mund të shërbejë edhe për gjëra tjera të rëndësishme.