Në Spitalin e Përgjithshëm të Vushtrrisë nuk funksionon CT-ja 64 shtresore tash e një vit, e cila ka ardhur në këtë spital si donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Drejtori i spitalit Dr. Mursel Pllana ka deklaruar për Gazetën Shneta se disa herë kanë kërkuar nga SHSKUK rregullimin e CT-së, por një gjë e tillë nuk ishte realizuar. Mos funksionimi i kësaj pajisje është një mangësi e madhe në kohën kur do të shërbente për diagnostikë më të mirë për pacientët e sëmurë me koronavirus.
“Po CT nuk funksionon që disa kohë. Kemi kërku rregullimin edhe para pandemisë, edhe tash në pandemi sepse kemi nevojë urgjente por ende nuk është rregulluar”, ka deklaruar Pllana.
Ai ka thënë se në vend të CT-së po përdoren dy pajisje të rëntgenit njëra statike dhe një tjetër mobile, për diagnostikimin e pacientëve me Covid-19.
Spitali i Vushtrrisë është shndërruar në Covid javën e kaluar. Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka kërkuar anulimin e këtij vendimi duke thënë se nuk kanë staf mbështetës dhe po rrezikohen pacientët tjerë të cilët vizitohen në QKMF, ndërtesa e të cilës është në të njëjtin oborr me spitalin.
Por Pllana ka deklaruar se do ta respektojnë vendimin e menaxhmentit të SHSKUK-së dhe do stafi i spitalit do të jenë në shërbim të pacientëve. /Gazeta Shneta/