Një lajm i mirë vjen nga epiqendra e koronavirusit, qyteti Wuhan në provincën Hubei të Kinës, ku kanë filluar të mbyllen spitalet e improvizuara për trajtimin e pacientëve me Covid-19.
Në Wuhan janë mbyllur deri sot 14 spitale që ishin improvizuar për trajtimin e pacientëve, pas rënies së numrit të të prekurve nga koronavirusi, shkruan agjencia e lajmeve xinhua, transmeton Gazeta Shneta.
Drejtori i Unionit të Spitaleve në Wuhan, Hu Yu, ka deklaruar se lirimi i 34 pacientëve nga spitali në Jianghan, shënon afrimin e mbylljes së të gjitha spitaleve të përkohshme në këtë qytet.
Një paciente e quajtur Guo ishte pranuar në spital më 2 mars pasi nuk ndihej mirë. Ajo ka thënë se stafi mjekësor kanë qenë shumë të kujdesshëm me të. “Jam ndier sikur të isha në një familje të madhe”, ka deklaruar ajo.
Për të parandaluar përhapjen e virusit qyteti i Wuhan kishte improvizuar disa hapësira publike në spitale ku janë trajtuar rreth 12 mijë njerëz. Autoritetet të dielën kanë raportuar 36 raste të reja me koronavirus dhe 18 vdekje. /Gazeta Shneta/