Nëna shqiptare në gjendje koma, lind beben në muajin e 6-të

2017-04-04 në ora 14:08

Në muajin e 6 të shtatzënisë e në gjendje kome, një nënë 25 vjeçare shqiptare ka sjellë në jetë një ditë më parë vajzën e saj, në spitalin e Komunës së Torrete në provincën e Ankonës në Itali.

Vogëlushja ka lindur para kohe në javën e 27 të shtatzënisë e gjendja shëndetësore si e nënës dhe e vajzës është mjaft kritike.

Më datë 25 mars, 25 vjeçarja shqiptare kishte pësuar një hemorragji celebrale e mjekët e spitalit të Porto Sant’ Elpidio ku ishte dërguar me urgjencë nga familjarët, kanë ndërhyrë me një operacion delikat për të evakuar hematomën në tru.

Gjatë operacionit gjendja e saj shëndetësore është rënduar, truri është mbushur me gjak e 25 vjeçarja ka hyrë në një gjendje kome të pakthyeshme.

Gjendja e rënduar shëndetësore ka detyruar transferimin e  nënës shqiptare në një strukturë më të specializuar siç është spitali Torrete në provincën e Ankonës, rreth 60 km nga vendi i saj i banimit.

Mjekët e këtij spitali kanë luftuar me kohën me shpresën që të shpëtojnë jetën e fëmijës. Duhej të paktën dhe 1 muaj që të ndërhyhej me anë të operacionit cezarian për të sjellë në jetë foshnjën e nënës shqiptare por përkeqësimi i saj shëndetësor ka detyruar lindjen e parakohshme.

Natën e së hënës, 25 vjeçarja shqiptare shtatzëne në muajin e 6 e në gjendje kome ka sjellë në jetë vajzën e saj, lindur para kohe në javën e 27 të shtatzënisë.

Kushtet shëndetësore si të nënës dhe të vajzës janë mjaft të rënda. Nëna shqiptare vazhdon të jetë në gjendje kome ndërsa foshnja pritet t’i nënshtrohet një ekzaminimi të plotë mbi kushtet e saj neurologjike dhe të aparatit të frymëmarrjes.

Mbi gjendjen shëndetësore të foshnjes ka rënduar dhe operacioni e të gjitha mjekimet e nevojshme që janë dashur për t’i shpëtuar jetën nënës së saj, shkruan Ora.