Një nënë shtatzënë ka lindur fëmijën e saj pasi ka qëndruar për 17 ditë në Klinikën Infektive ku u trajtua nga sëmundja e koronavirusit.
Fatmirësisht nëna është shëruar pa asnjë problem nga Covid-19 dhe para se të hynte në lindje, ka rezultuar dy herë negative në test. Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismajli.
“Gruaja shtatzënë ka qenë e infektuar dhe e hospitalizuar në Klinikën Infektive, por tanimë ajo është e shëruar. Shtatzëna ka qëndruar 17 ditë në Klinikën Infektive për tu trajtuar nga virusi, pas dy javësh ka dalur negative dhe sot e ka përfunduar lindjen me operacion. Nëna dhe beba janë në gjendje të mirë shëndetësore”, ka thënë ai për indeksonline.
Ismajli shtoi se nuk ka asnjë rast me Covid-19 nga personeli shëndetësor dhe pacientët në Klinikën e Gjinekologjisë.