Qumështi i nënës mund të jetë ushqimi i parë, por nuk krijohet njësoj. Tek njerëzit dhe gjitarët e tjerë, studiuesit kanë zbuluar se përbërja e qumështit ndryshon në varësi të gjinisë së foshnjës dhe kushteve të rritjes.
Kuptimi i këtyre dallimeve mund t’u japë shkencëtarëve njohuri mbi evolucionin njerëzor, shkruan burimi Scientific American përcjell Gazeta Shneta.
Studiuesit në Universitetin Shtetëror të Miçiganit dhe institucione të tjera, zbuluan se midis 72 nënave në Kenia rurale, gratë me djem në përgjithësi jepnin qumësht më të pasur (2,8 përqind yndyrë krahasuar me 0,6 përqind për vajzat). Megjithatë, gratë e varfra favorizonin vajzat me qumësht më kremoz (2,6 kundrejt 2.3 për qind).
Këto gjetje, të botuara në ‘American Journal of Physical Anthropology’ në shtator, i bëjnë jehonë punës së mëparshme që tregonte se përbërja e qumështit ndryshonte me gjininë e foshnjave në fokat gri dhe në drerin e kuq.
Studimi i ri ndjek gjithashtu gjetjet se nënat e pasura dhe të ushqyera mirë në Masaçusets prodhonin qumësht me më shumë energji për foshnjat meshkuj.
Për të mësuar më shumë rreth komplikimeve të shtatzënisë KLIKO KËTU.
Së bashku studimet ofrojnë mbështetje për një teori 40-vjeçare në biologjinë evolucionare.
Hipoteza ‘Trivers-Willard’ thotë se seleksionimi natyror favorizon investimin e prindërve tek vajzat kur kohët janë të vështira dhe tek djemtë kur kohët janë të lehta.
Studimi i ri është “eksitues dhe tërheqës”, thotë Robert Trivers, biolog evolucionar në Universitetin Rutgers dhe bashkëautor i hipotezës, i cili nuk ishte i përfshirë në studimin e fundit.
“Është një efekt Trivers-Willard që nuk do të kisha guximin ta parashikoja.”
Edhe përtej yndyrës dhe proteinave, përbërësit e tjerë të qumështit mund të ndryshojnë tek njerëzit, thotë profesoreshë Katie Hinde, nga fusha e biologjisë evolucionare njerëzore në Universitetin e Harvardit.
Ajo ka gjetur nivele më të larta të kortizolit, një hormon që rregullon metabolizmin, në qumështin e majmunit për foshnjat meshkuj. Puna e saj tregon se dallimet e qumështit mund të ndryshojnë sjelljen e foshnjave dhe mund të ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin.
“Vetëm gjysma e historisë është ajo që prodhon nëna,” thotë Hinde. “Gjysma tjetër është mënyra se si foshnja e përdor qumështin.” Këto gjetje mund të kenë implikime për formulat ushqyese, të cilat mund të modifikohen për të optimizuar zhvillimin si për djemtë ashtu edhe për vajzat. /Gazeta Shneta/