Të fjeturit me muzikë lëshuar tek foshnjat mund të dëmtojë aftësinë e dëgjimit tek ato, sipas një studimi.
Doktor Blake Papsin, autor i studimit dhe shefi i otolaringologjisë në Spitalin për Sëmundje të Fëmijëve në Toronto, thotë se kanalet e veshit të foshnjave janë shumë më të ndjeshme se të rriturit dhe dëmtohen më lehtësisht.
Për të rriturit, udhëzimet e sigurisë në punë rekomandojnë që punëtorët pa mbrojtje të veshëve të ekspozohen në jo më shumë se 85 decibel të intensitetit të zërit, ndërsa muzika që vendoset për fëmijët para gjumit e tejkalon shifrën 85 decibel.
“Unë nuk po them se këto pajisje do të shkaktojnë humbje dëgjimi, por rrisin rrezikun për diçka të tillë”,- është shprehur autori i studimit.
Kjo nuk do të thotë se këto pajisje duhet të zhduken nga përdorimi për fëmijët, por duhet të keni parasysh që t’i vendosni sa më larg fëmijës, mundësisht në cepin tjetër të dhomës, ta ulni volumin sa më shumë të jetë e mundur dhe t’i mbani sa më pak minuta në përdorim./pernenat.al/