Bordi i Sigurimeve Shëndetësore ka nisur punën sot pas emërimit ditë më parë nga Qeveria e Kosovës.
Bordi përbëhet nga: Naim Bardiqi nga Ministria e Shëndetësisë; Xhevat Zejnullahu-Ministria e Financave; Izedin Bytyqi-Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; Rrezart Halili-Oda e Mjekëve të Kosovës; Murat Berisha-Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës; Naim Ismaili-Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Muhamedali Kodra- Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës.
Në njoftimin e MSH-së thuhet se Bordi ka vendosur që të fillojnë përgatitjet për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e Drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili njëherësh do të jetë edhe Sekretar i Bordit të Fondit pa të drejtë vote, si dhe për disa çështje teknike që lidhen me punën e Bordit, transmeton Gazeta Shneta.
Kryesues i Bordit për këtë vit është zgjedhur Sekretari i MSH-së, anëtari Naim Bardiqi. Zgjedhja e kryesuesit do të bëhet me rotacion për çdo vit. /Gazeta Shneta/