Në dhjetor të vitit të kaluar në qytetin Wuhan në Kinë janë regjistruar rastet e para të virusit vdekjeprurës i njohur me emrin ‘korona’. Ky virus deri më tani ka marr jetën e 170 personave ndërsa janë sëmurë rreth 8 mijë të tjerë.
Në të gjitha vendet e botës janë marr masa në aeroporte për të parandaluar shpërndarjen e virusit nga udhëtarët që vijnë nga Kina. Një qytetar nga ky vend ka ardhur edhe në Kosovë, por i njëjti nuk ka qenë i infektuar me virusin, shkruan Gazeta Shneta.
Ardhjen e këtij personi në vendin tonë e ka konfirmuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për Gazetën Shneta. “Nga dhjetori 2019 deri më sot, nga Kina në Kosovë ka hyrë vetëm një udhëtar, i cili pas kontrollit ka rezultuar negativ dhe më pas i njëjti ka udhëtuar për Shqipëri”, thuhet në përgjigjen e Institutit.
Nga IKSHPK kanë konfirmuar tutje se ekipi i mjekëve të aeroportit po asistohet dhe po udhëzohet nga ekipi i epidemiologëve për diagnostikimin e udhëtarëve që vijnë nga vendet ku është shfaqur virusi. IKSHPK ka deklaruar për Gazetën se udhëtarëve po iu bëhet skriningu i temperaturës në distancë si dhe kontrolle mjekësore për ata persona që shfaqin simptoma të koronavirusit.
Instituti ka konfirmuar se deri më tani nuk është konfirmuar asnjë rast me koronavirus. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën edhe drejtoresha e Klinikës Infektive Dr. Lindita Ajazi Berisha. Kjo e fundit ka deklaruar se janë marr masa që të përballen me raste të tilla.
Në anën tjetër Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me masat që ka marr për parandalimin e këtij virusi. Zyrtarja për informim Valentina Gara nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Gazetës në lidhje me metodat që po përdoren për diagnostikimin e udhëtarëve, si dhe masat tjera preventive për këtë virus. Gara ka kërkuar nga Gazeta që t’i drejtohemi Institutit për të gjitha pyetjet.
Ndërkaq më poshtë janë të listuara rekomandimet që janë dhënë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për Aeroportin e Prishtinës.
Për parandalimin e koronavirusit, nga udhëtarët të cilët vijnë nga vendet endemike, janë ndërmarrë këto masa parandaluese të sigurisë:
– skriningu i temperaturës së udhëtarëve që arrijnë në ANP “Adem Jashari”.
– kontrolli mjekësor i udhëtarëve të cilët kanë këto simptome:
– ethe dhe simptoma të traktit respirator (p.sh., kollë, vështirësi në frymëmarrje) dhe nëse në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave, ka udhëtuar nga qyteti Ëuhan, Kinë.
– ose
– në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave, ka qenë në kontakt të ngushtë me personin i cili është duke u hulumtuar për 2019-nCoV ose person të sëmurë dhe të konfirmuar nga laboratori 2019-nCoV.
– Raportimi dhe njoftimi i menjëhershëm i IKSHPK.
– Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.
– Rreziku i importimit të sëmundjes mund të zvogëlohet nëse kontrollimi i temperaturës gjatë hyrjes shoqërohet me zbulimin e hershëm të udhëtarëve simptomatikë, dhe referimin e tyre për ofrimin e ndihmës mjekësore.
– Shpërndarja e mesazheve të komunikimit të rrezikut në aeroport; Kjo bëhet përmes posterave, fletëpalosjeve dhe komunikimit direkt, duke synuar rritjen e vetëdijes së udhëtarëve për shenjat dhe simptomat e sëmundjes, dhe inkurajimin që të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë dhe raportimin e historisë së tyre të udhëtimit.
– Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit. /Gazeta Shneta/