Numri i vdekjeve të parakohshme të foshnjave në rritje, mjekët me këshilla për prindërit

2018-08-10 në ora 14:37

Vdekja e papritur e foshnjave, e njohur ndryshe si SIDS, ka shtuar numrin e viktimave, paralajmërojnë mjekët.

Megjithëse nuk ka ndonjë shpjegim shkencor në lidhje me ndodhinë e këtyre vdekjeve apo preventimin një herë e përgjithmonë të tyre, mjekët kanë ofruar disa këshilla, që sipas tyre, mund të jenë të vlefshme për zbutjen e rrezikut nga SIDS, transmeton Living.

1- Vendoseni gjithmonë të flejë me shpinë.

Fëmija duhet të flejë gjithmonë me barkun lart, të paktën derisa ai të jetë në gjendje të rrotullohet pa ndihmën e dikujt ( rreth moshës 1-vjeçare ). Mos i vendosni batanije apo mbështetëse të tjera për ta mbajtur në pozicionin e duhur, pasi ato natën mund të spostohen dhe te bllokojnë rrugët e frymëmarrjes së fëmijës.

2- Veshja duhet të përbëhet prej vetëm një tute të hollë.

Gjatë gjumit fëmija nuk duhet të vishet me shumë rroba. Mjafton një trupore ose tutë e hollë. Ju duhet të përdorni batanije të përshtatshme për masën e fëmijës, të cilat nuk duhet të jenë të rënda. Idealja do të ishte përdorimi i batanijeve “thes”, të cilat nuk do të rrezikojnë bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes.

3- Dysheku nuk duhet të jetë shumë i butë.

Sigurohuni që dysheku të jetë i fortë dhe i përshtatshëm për krevatin apo djepin ku fle fëmija. Një shtrat shumë i butë mund të ndikojë në bllokimin e frymëmarrjes së fëmijës.

4- Këmbët e fëmijës duhet të prekin fundin e krevatit.

Në këtë mënyrë ju do të jeni më të sigurt që fëmija nuk do të futet poshtë çarçafëve. Batanija duhet të jetë e hollë dhe nuk duhet të vendoset më lart se sqetullat.

5- Ambienti ku fle fëmija nuk duhet të jetë shumë i nxehtë.

Temperatura e dhomës duhet të jetë gjithmonë rreth 20 gradë.

6- Në djepin apo krevatin e fëmijës duhet të jetë vetëm ai.

Në krevatin e fëmijës nuk duhet të ketë asgjë tjetër përveç fëmijës. Mos vendosni atje arushë dhe lodra të tjera, jorganë, jastëkë etj. Vendosja e lodrave brenda krevatit mund të jetë diçka e bukur për t’u parë por e rrezikshme për fëmijën.

7- Ndani me të dhomën por jo krevatin.

E mbani fëmijën për të fjetur në dhomën tuaj, por jo në krevatin tuaj. Vendoseni djepin apo krevatin e fëmijës pranë tuajit në mënyrë që ta kontrolloni më me lehtësi. Ndërsa i jepni gji ju mund ta merrni në krevatin tuaj, por më pas duhet ta vendosni sërish tek i veti.

8- Ushqyerja me gji.

Sipas një studimi fëmijët të cilët janë ushqyer me gji, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore, janë më pak të rrezikuar nga SIDS.

Kliko këtu për t’u informuar me testin që duhet ta bëjë secila nënë shtatzënë për të konfirmuar se shëndeti gjenetik i foshnjës në ardhje është në rregull.