Një qytetar i Prishtinës është kthyer mbrapsht dje në orët e vona pasi QMF numër 6 në lagjen Bregu i Diellit nuk punonte në ndërrimin e natës. Qytetari A.S. u ankua edhe në rrjetet sociale pasi nuk mori shërbim derisa ishte me temperaturë të lartë. Ai kërkoi nga institucionet e Komunës së Prishtinës që ta funksionalizojnë ndërrimin e natës pasi kjo lagje sipas tij ka mjaft nevojë.
E arsyeja pse nuk punon ndërrimi i natës në këtë QMF dhe të tjera në kryeqytet, është numri i vogël i punëtorëve shëndetësor në nivelin primar të shëndetësisë. Ky është sqarimi i drejtorit të Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Dr. Bujar Gashi në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Gashi sqaron se në këtë QMF ka filluar renovimi në qershor të vitit 2018 dhe në muajin dhjetor ka përfunduar. Pas këtij renovimi nuk ka vazhduar edhe puna në ndërrimin e natës.
“Arsyeja pse nuk ka rifilluar punën e ndërrimit të natës është numri i vogël i puntorëve shëndetësor në gjithë Kujdesin Parësor Shëndetësor në Komunën e Prishtinës, sipas statistikave që kanë nxjerr menaxhmenti i QKMF-së ka dal se kjo qendër dmth Qmf nr 6, Kodra e Diellit ka pasë numrin më të vogël të pacientëve që kanë vizituar këtë Qendër dhe është vendosur që mos të ketë ndërrim nate deri në një moment kur do të kemi rritje të numrit të stafit shëndetësor”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka shtuar se nga viti i ardhshëm planifikojnë të punojnë me vetëm dy QMF në ndërrim të natës të cilat do të shërbejnë për të gjithë qytetarët e Prishtinës që kanë nevojë për trajtim urgjent.
“Koncepti i Mjekësisë Familjare nuk parasheh kujdestari të mjekut Familjar, këto kujdestari në vitin e ardhshëm kur do të fillojmë me implementimin e plotë të këtij koncepti nuk do të ketë ndërrime nate mirëpo kujdestari në një, dy apo tri qendra në Komunën e Prishtinës të cilat do të trajtonin vetëm rastet urgjente, sepse deri tani sipas statistikave 70% e rasteve që vizitohen në ndërrime të natës janë raste jo urgjente, sipas kësaj i bie që mjaftueshëm janë vetëm dy qendra të tilla”, ka deklaruar Gashi. /Gazeta Shneta/