Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka kërkuar që të ndërmerren masa për 12 lloje të baktereve të cilët rezistojnë ndaj antibiotikëve aktualë dhe seriozisht dëmtojnë shëndetin e njeriut.
OBSH-ja me një metodë të re ka bërë grupimin e baktereve dhe ka caktuar shkallën e rrezikut që paraqesin.
Vlerësimi i rrezikut është ndarë në tre kategori sipas nevojës së urgjencës. Në këto kategori janë caktuar kriteret me përparësi kritike, të lartë si dhe me përparësi të mesme.
Në kategorinë me përparësi kritike janë vendosur bakteret që rezistojnë më shumë se një antibiotik dhe që paraqesin rrezik të madh sidomos për spitalet dhe shtëpitë e kujdesit. Madje, thuhet se këto baktere mund të shkaktojnë infeksione vdekjeprurëse.
Organizata, me klasifikimin e këtyre 12 baktereve sipas këtyre kritereve planifikon t’u japë udhëzime prodhuesve të barnave.
Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së, Marie-Paule Kieny, në deklaratën e saj me shkrim në lidhje me temën, ka thënë se rezistenca ndaj antibiotikëve është në rritje, raporton AA.
“Opsionet për terapi po shpenzohen shumë shpejtë. Nëse këtë sektor e lëmë plotësisht në duart e aktorëve të tregut, antibiotikët për të cilët kemi nevojë urgjente nuk do të mund të zhvillohen në kohë”, tha Kieny.
Në deklaratë theksohet se specialistët e sektorit të shëndetësisë të shteteve të G-20, do të mblidhen këtë javë në Berlin dhe se lista ka për qëllim inkurajimin e qeverive për zhvillimin e antibiotikëve të rinj dhe investimin e tyre në këtë sektor.