Edhe Oda e Infermierëve ka reaguar kundër vendimit të Qeverisë që të ndaj 10 për qind të pagës ose 60 euro shtesë për punëtorët shëndetësorë, si mbështetje për pandeminë.
OIK e ka quajtur ofenduese shumën prej 60 eurosh, në kohën kur sipas tyre, po punojnë në kushte shumë të rënda, transmeton Gazeta Shneta.
Lexoni reagimin e plotë:
Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetesorë është e indinjuar thellë me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndarjen e shtesave në vlerë prej 60 eurove për punonjësit shëndetësorë.
Kjo shumë, pos tjerash është ofenduese për punonjësit shëndetësorë të cilët po punojnë në kushte shumë të rënda në përballje me virusin Covid 19.
Kosova edhe ashtu po përjeton një dramë të largimit të infermierëve dhe kjo qasje e Qeverisë vetëm shton nënvlerësimin karshi tyre dhe i kontribuon klimës së largimit të punonjësve shëndetësorë nga Kosova.
Si OIK kërkojmë nga institucionet që të rishqyrtojnë shumën e shtesave, të punojnë në motivimin e punonjësve dhe t’u ofrohen kushte më të mira të punës.