Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar kanë dënuar sulmin fizik ndaj specializantit Bujar Gashi në Klinikën Emergjente në QKUK, për të cilin raportoi mbrëmë Gazeta Shneta. Gashi u sulmua nga një pacient, pasi i kishte kërkuar të shkonte në katin e dytë për të bërë një rentgen
Në reagimin e OMK-së thuhet se me shqetësim, indinjatë dhe zhgënjim është pranuar lajmi për sulmin ndaj kolegut i cili u sulmua mbrëmë në hapësirat e vendit të punës duke ofruar shërbimin shëndetësor. OMK thotë se sulmi ndaj mjekëve është bërë pjesë e protokollit të sjelljes së shërbimmarrësve nëpër institucione shëndetësore, ndërkaq mjeku është bërë viktima e përhershme e këtyre sulmeve serike të cilat nuk kanë të ndalur.
“Vetëm gjatë këtij viti janë shënuar dhjetëra raste të sulmeve fizike dhe verbale ndaj mjekëve, të cilët në vendin e punës pa asnjë mbrojtje dhe asnjë kujdes të veçuar, janë duke iu ekspozuar veprimeve vandale dhe të dhunshme. Ndërkaq, shqetësues mbetet fakti që institucionet përgjegjëse, sidomos ato të ndjekjes penale, me pasivitetin e tyre janë duke i stimuluar këto sulme që tanimë janë bërë fenomen ditor”, thuhet në reagimin e Odës.
“Tani e disa herë, Oda e Mjekëve të Kosovës ka përsëritur kërkesën që sulmet e tilla ndaj mjekëve që ndërlidhen me veprimtarinë profesionale të tyre, të trajtohen në kuptim të sanksionimit penal në kuadër të sulmit ndaj personit zyrtar dhe që këto raste duhet të trajtohen me prioritet. Po ashtu, Prokuroria e Shtetit dhe Gjykatat duhet të vihen në veprim, sidomos në fazën e procedurës paraprake, në mënyrë që kryesve të këtyre veprave penale tu caktohet masa e paraburgimit, duke marr parasysh probabilitetin që vepra e tillë mund të jetë e përsëritur ndaj mjekut i cili i është ekspozuar veprimit të tillë kriminal. Nuk ka asnjë dyshim që mjekët, si persona që janë të legjitimuar me leje të veçantë të punës për të ofruar shërbime shëndetësore, legjitimim ky i bërë nën kompetencën publike, në kuptim të dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës janë persona zyrtar dhe si të tillë duhet të gëzojnë mbrojtje juridike nga cilido cënim i integritetit personal dhe profesional, në veçanti kur kemi të bëjmë me sulmet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe në vendin e punës”.
“Po ashtu, Oda e Mjekëve të Kosovës kërkon nga institucionet shëndetësore, autoritetet kompetente të nivelit qëndror dhe atij lokal, që të trajtojnë me seriozitetin më të madh sigurinë në vendin e punës, pasi që mundësia e ekspozimit ndaj kriminalitetit të dhunshëm ndaj mjekut është e madhe. Trendi i deri tanishëm e ka bërë që në kuadër të vlerësimit të rrezikshmërisë në vendin e punës të përfshihet edhe rreziku objektiv i cënimit të integritetit trupor të mjekut në vendin e punës”.
“Oda e Mjekëve të Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet institucionale për të bashkëpunuar me akterët të tjerë shtetëror në mënyrë që të ndikojë në parandalimin e viktimizimit të mjekëve në shoqëri, si dhe të krijohen kushtet bazë të sigurisë në vendin e punës për të gjithë mjekët të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Kosovës”, përfundon reagimi i OMK-së.
Në anën tjetër Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës thotë se është njoftuar nga Klinika e Emergjencës dhe e Ortopedisë se Dr. Bujar Gashi, specializant i ortopedisë, është sulmuar fizikisht nga një pacient në vendin e tij të punës, derisa po ofronte shërbime kujdestarie.
“SHSKUK dënon ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj mjekut, e quan akt të turpshëm dhe qyqar, ndërkaq fton organet kompetente të merren me rastin. I shqetësuar me incidentin e mbrëmshëm, kolegjiumi i Klinikës së Ortopedisë ka kërkuar hetim të shpejtë, duke theksuar se dhuna nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si mjet i shprehjes së pakënaqësive”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/