Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka vizituar dje Odën e Stomatologëve të Kosovës ku është pritur nga kryetari Blerim Kamberi me bashkëpunëtorë.
Krerët e OSK-së i janë ankuar ministrit Latifi në këtë takim, se anëtarët e Odës po gjobiten nga Inspektorati Shëndetësor, shkruan Gazeta Shneta.
“Gjatë takimit Kryetari i OSK-së adresoi shqetësimet e ndryshme të cilat i ka pranuar dhe janë brengë e anëtarëve të OSK-së, si, shqiptimi i gjobave nga ana e Inspektoratit Shëndetësor për profesionistët shëndetësorë në sektorin privat, mbyllja e ushtrimit të veprimtarisë stomatologjike nga ana e Bordit për licencimin e institucioneve private shëndetësore”, thuhet në njoftimin e OSK-së.
Por për këtë ankesë të tyre ka reaguar një zyrtar i Inspektoratit Shëndetësor. Inspektori Shemsi Bushi ka deklaruar se OSK pa të drejtë ia ka hedhur fajin Inspektoratit.
“Pse bëni gabime kështu?! Inspektorati nuk ua cakton kuotën për faksimil anëtarëve të odës! A ka faj inspektorati që për një vërtetim stomatologët paguajnë 5 Euro!? A ka faj inspektorati që dikush mban disa pozita udhëheqëse!? Tregoni kush ka bërë kërkesë për gjobitjen e mjekëve për mungesë të faksimilit të lëshuar nga Oda”, ka shkruar Bushi në reagimin e tij. /Gazeta Shneta/