Oksimetrat e pulsit, të cilët janë rritur në përdorim gjatë pandemisë së koronavirusit, mund të japin rezultate të pasakta, paralajmëroi Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Oksimetrat e pulsit, janë pajisje që masin nivelet e oksigjenit në gjak. Leximet mund të jenë të dobishme për vlerësimin e funksionit të mushkërive kur njerëzit kanë pneumoni ose simptoma të tjera të frymëmarrjes shkruan CNN përcjell Gazeta Shneta.
“Ndërsa oksimetrat e pulsit mund të jenë të dobishëm për vlerësimin e niveleve të oksigjenit në gjak, këto pajisje kanë kufizime që mund të rezultojnë në lexime të pasakta”, tha Dr. William Maisel, drejtor i Zyrës së Vlerësimit dhe Cilësisë së Produktit në Qendrën e FDA-së për Pajisjet dhe Shëndetin Radiologjik në një deklaratë.
“Pacientët me gjendje të tilla si Covid-19 nuk duhet të mbështeten vetëm në matjet e oksimetrit të pulsit për të monitoruar shëndetin e tyre në shtëpi pasi nuk janë zëvendësues për një diagnozë mjekësore nga një ofrues i kujdesit shëndetësor” shtoi Dr. Maisel.
FDA u bëri thirrje pacientëve të konsultohen me një ofrues shëndetësor nëse ata janë të shqetësuar për simptomat e tyre ose leximet e oksimetrisë së pulsit.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), gjithashtu paralajmëruan për kufizimet e mundshme të oksimetrave të pulsit, duke vënë në dukje se ofruesit që përdorin oksimetri të pulsit te pacientët e dyshuar ose të konfirmuar të koronavirusit duhet gjithashtu të vlerësojnë faktorë të tjerë, si kushtet me rrezik të lartë dhe simptomat e Covid-19. /Gazeta Shneta/