Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Dr. Pleurat Sejdiu dhe Kryeinspektorja e Inspektoratit Shëndetësor Dr. Ardita Baraku, kanë nënshkruar sot marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve.
Në njoftimin e OMK-së thuhet se qëllimi i kësaj marrëveshje është zyrtarizimi i bashkëpunimit të ndërsjellë institucional për të siguruar një mbikëqyrje dhe zbatim të legjislacionit në fuqi, sigurimin e integritetit profesional të mjekut si profesionist shëndetësor, forcimin institucional të sistemit shëndetësor në interes të përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës duke mbrojtur kështu edhe interesat e pacientëve që janë përfitues të shërbimeve shëndetësore.
“Kjo marrëveshje është formalizim i bashkëpunimit të deritanishëm të OMK-së dhe Inspektoratit Shëndetësor, ku në kuadër të kësaj marrëveshjeje planifikohen të bëhen edhe inspektime të përbashkëta ndërmjet institucioneve gjegjëse OMK-së dhe Inspektoratit Shëndetësor”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast kryetari i OMK-së, dr. Pleurat Sejdiu vlerësoi gatishmërinë për bashkëpunim të Inspektoratit Shëndetësor ku falënderoi dr. Ardita Baraku Kryeinspektoren e Inspektoratit Shëndetësor, me zotimin se do të punojnë së bashku për forcimin institucional të sistemit shëndetësor në Republikën e Kosovës. /Gazeta Shneta/