Katër shkurti është dita botërore kundër kancerit. Sëmundje kjo e cila sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit 8.8 milion njerëz vdesin nga kanceri dhe shumica në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Gazeta Shneta, sot realizoi një intervistë me Onkologun Dr. Ardian Millakun, për të kuptuar më shumë rreth shkaktarëve, sfidave dhe nevojave të personave të prekur nga kjo sëmundje.
Më poshtë, mund të lexoni intervisten e realizuar me onkologun dhe të njoftoheni më shumë rreth kësaj sëmundje.
Cilët janë shkaktarët e sëmundjes së kancerit?
Zakonisht shkaktarët e sëmundjes së kancerit, domethanë sëmundjeve malinje, janë multifaktoriale. Ndahen ata të cilët ne mundemi me i kontrollu edhe ata që nuk mundemi me i kontrollu. Ndër faktorët që nuk mund të kontrollohen zakonisht janë mosha, gjinia, faktori gjenetik, domethanë trashëgimia. Pastaj, janë faktorë të tjerë që lidhen kryesisht me ato që ne mundemi me i kontrollu.
Pra, faktori gjenetik le të jetë ajo e para, trashëgimia. Faktorët që na mundemi me i kontrollu janë zakonisht gjidhania, mos konsumimi i alkoolit, i duhanit. Mos ekspozimi ndaj faktorëve të jashtëm që janë rrezatimet, ndotjes së ambientit, aktiviteti fizik, menaxhimi i stresit, mos përdorimi i preparatëve hormonale, kontraceptivët oral. Lindja e vonshme, një ndër faktorët që ndikon shumë në kancerin e gjirit, infeksionet. Domethanë të gjitha këto janë faktorë që janë të shumtë që ndikojnë në një mënyrë në shfaqjen e sëmundjes malinje.
Cilët persona kanë më shumë shansë të diagnostifikohen me kancer?
Ma së shumti ata që kanë faktorë risku janë ata persona që kanë histori familjare pozitive, janë në radhë të parë. Pastaj, ata që janë të ekspozun ndaj faktorëve të jashtëm, për shembull, qoftë ndotjes së ambientit, qoftë rrezatimit, qoftë konsumimit të alkoolit, qoftë duhanit, mos menaxhimi i stresit, ata që nuk bojnë aktivitet fizik, ushqimi i keq. Pastaj të gjitha këto me nji farë forme ndikojnë që në një moment të caktun me u shfaqë sëmundjet malinje.
Zakonisht, cilat janë shenjat e para që tregojnë se kanceri po zhvillohet në trupin e njeriut?
Prej secilës patologji, secili organ i ka ato sëmundjet malinje të veta, nëntipet e veta. Në secilin organ, për shembull, te gjiri shenjat e para që mund të vërehen që të orientojnë tek mjeku janë ndryshimet në gji ndonjë rrjedhë nga gjiri, sekrecion, dhimbje, ndryshimi i lëkurës së gjirit në ngjyrë portokalli, ndonjë gungë ose ndonjë masë që vërehet, ndonjë nyje limfatike, pastaj ndonjë ndryshim në lëkurë i cili nuk shërohet.
Pastaj kolli i vazhdueshëm, ndryshimi i zërit, gjakderdhja, dhimbjet, ndjenja e gogësimit ose ndjenja e peshës në lukth, fryrja e barkut. Të gjitha këto shenja të dërgojnë me bo ekzaminime dhe pastaj me u diagnostifiku ose jo edhe me vazhdu me biopsi.
Personat e diagnostifikuar me kancer, në cilat raste operohen dhe në cilat fillojnë menjëherë trajtimin me kimioterapi dhe rrezatim?
Qëllimi i krejt kësaj është me u zbulu në faza ma të hershme. Fazat e ma hershme janë edhe të operueshme. Deri në atë fazë që nuk ka metastaza, sëmundja nuk është e përhapun në organe të tjera, domethanë është lokalisht e kontrollueshme, atëherë është e operueshme.
Ma së pari kirurgjia është ajo që bohet në disa raste të tumorave, në raste kur janë të operueshme dhe nuk ka metastaza në organe të tjera. Pastaj, pas kirurgjisë edhe biopsisë së përsëritshme përcaktohet stadi i sëmundjes, domethanë sëmundja a është e përhapun apo është lokale dhe masi të bëhet stadi pastaj edhe bëhet trajtimi në varësi prej stadit qoftë me kimioterapi dhe radioterapi apo vetëm me radioterapi.
Me radioterapi hyjnë edhe forma të tjera të trajtimit, IMRT-ja edhe forma të tjera. Kurse te kimioterapia hyjnë edhe forma të tjera të trajtimit siç është edhe trajtimi hormonal, pastaj imunoterapia e të gjitha këto.
Pra, varësisht prej stadit të sëmundjes edhe bohet trajtimi. Në stazat e hershme, që është fat edhe nëse zbulohet atëherë bëhet kirurgjikisht. Ka situata, për shembull, që zbulohet herët edhe përfundon qaty trajtimi i tyre, vetëm kirurgjikisht. I largohet tumori dhe bëhet vetëm përcjellja e atyre rasteve. Por, në raste ma të avancune të kancerit, shkohet me kimioterapi mandej varësisht edhe me radioterapi.
Për pacientët e diagnostifikuar me kancer, a është kimioterapia terapia më e mirë e mundshme?
Ma e mira është nëse zbulohet me kohë dhe kirurgjikisht të largohet, domethanë problemi aty. Pastaj nëse sëmundja është më e avancune në staze ma të vonshme atëherë vazhdon trajtimi në forma tjera. E mira është nëse zbulohet në stadet e hershme edhe nuk ka nevojë për asnjë lloj trajtimi tjetër, domethanë vetëm bohet kirurgjikisht edhe pastaj përcjelljet me analiza. Por nëse është në stade ma të larta atëherë sipas protokolit duhet edhe me fillu me terapia të tjera.
Çfarë mendoni për medikamentet natyrale?
Zakonisht një pjesë e madhe e pacientave tonë përdorin terapi natyrale alternative popullore. Po kto pasiqë nuk janë të provuara shkenctarisht me protokole, me hulumtime, me të gjitha ato që duhet të bohen për nji lloj të studimit atëherë nuk i dijmë efektet anësore të tyre ose efektet e tyre. Atëherë mundemi me thanë që përdorimi i tyre është i kufizun. Po na si onkolog nuk mundemi me i preferu ose me thanë me përdor barna të ndryshme popullore për arsye se nuk i dijmë efektet anësore të tyre ose benefitet që mund t’i ketë pacienti. Por, nji pjesë e pacientave përdorin.
Cilat janë disa nga sfidat kryesore që ballafaqohen pacientët e diagnostifikuar me kancer?
Sfida e parë e personave që janë diagnostifiku me kancer është se ata nuk dojnë me pranu, për ata është diçka shumë e randë. Pastaj, tjetra është problem edhe sigurimi i terapisë. Ka faza të ndryshme kur disa lloje të terapiave mungojnë edhe janë të kushtueshme për këtë arsye duhet edhe familjarët me siguru ndoshta terapinë. Pastaj, menaxhimi i efekteve anësore, pacientët nuk kanë dëshirë, sidomos tek gratë, humbja e flokëve, kjo është shumë e papërballueshme.
Momentin kur ne i tregojmë për këtë afekt anësor që është prej kimioterapisë ndodhë që ato, një pjesë e tyre të refuzojnë edhe me ardhë në kimioterapi. Po në mënyrën tonë si e shpjegojmë, se benefitet e kimioterapisë janë ma të mdhaja se ato efektet anësore ato prap vazhdojnë me terapinë që ne rekomandojmë.
Po sfidat e mjekëve që punojnë me persona të tillë?
Zakonisht na deri vonë nuk kemi pasë psikologen tonë e tash qe sa vite e kemi psikologen që është duke e kry punën e vet shumë mirë. Pacientët në radhë të parë që vijnë te na kanë vështirësi në pranimin e sëmundjes, zakonisht e marrin si diçka që i hupin të gjitha shpresat dhe ka përfundu gjithçka.
Na duhet me dhanë edhe anën e psikologut jo vetëm mjekësoren, pra me bind pacientin që me marrë ma qetë situatën gjithashtu edhe familjarët e pacientit. Është e vështirë për arsye se ballafaqohemi me reaksione të ndryshme të pacientave edhe ne duhemi me iu përshtat mënyrës së tyre që menifar forme me i bind ata që nëse fillojnë trajtimin kanë me pasë sukses.
Cilat janë ushqimet më të mira për personat që tashme kanë filluar kimioterapine?
Zakonisht duhet së pari mos me konsumu ushqime që janë të koncervuara, të ngrira, ato ushqime që kanë shumë karbohidrate, të gazuara, të pasura me yndyrë. Duhet me përdor ushqime natyrore, që janë të pasura me vitamina sepse kto e rrisin imunitetin. Edhe me menaxhu mirë ushqimin me terapi dhe me i përballu sëmundjes.
Por, zakonisht mos me konsumu ushqime që janë artificiale dhe të konservune. Me konsumu më shumë ushqime bio dhe natyrale.
Sa janë shanset në ditët e sotme që një person i diagnostifikuar me kancer të shërohet plotësisht?
Krejt kjo varet prej stadit të sëmundjes. Nëse, ne kemi pacientë që janë lajmëru në stadat e parë të sëmundjes kta e kanë hekë kirurgjikisht tumorin por edhe nuk kanë pasë nevojë fare me përdorë terapi tjetër edhe janë duke u përcjellur përmes analizave shumë mirë. Kjo duhet të mirret si një sëmundje kronike. Çdo sëmundje nëse menaxhohet mirë dhe diagnostifikohet në stadet e hershme atëherë ka sukses të mirë, si çdo sëmundje kronike. Por, qëllimi është që përmes ekzaminimeve dhe kontrollave me u zbulu në stadat e hershme sepse mund të mjekohet më mirë.
Por, nëse vërehet më vonë, pacienti mund të trajtohet me kimioterapi dhe radioterapi. Por, kjo është individuale. Ne mundohemi që sëmundja të mos ketë zhvillim ose të ketë tërheqje në masë të sëmundjes dhe pacienti të ndjehet më mirë dhe pastaj prej aktiviteteve të tij dhe kombinimit të terapisë bëhet edhe mbijetesa.
A keni statistika, sa është numri i të prekurve me kancer brenda vitit në Kosovë?
Nëse bëjmë një krahasim në mes të vitit 2018 dhe 2019. Në vitin 2018 kanë qenë 1483 raste kurse në vitin 2019 kanë qenë 1586 domethanë 103 raste janë më shumë, vetëm 6% është një rritje. Pak a shumë kjo është një rritje standard sikurse edhe në vendet e tjera të rajonit, domethanë nuk është një panik ose diçka kjo është një rritje standarde.
Kjo është ndoshta edhe si rast që evidentimi po bëhet më saktë në klinikën tonë ose i rregulltë , qoftë në vetëdijësimin e popullatës edhe lajmërimit tek mjeku. Normalisht është një rritje reale e rasteve të reja, domethanë ni ngritje 6%. Kjo rritje është si rezultat i evidentimit të saktë të rasteve të reja në klinikën tonë, vetëdijësimit që të lajmërohen më herët tek mjekët dhe është rritje reale që ndodhë.
Ky evidentim ndodhë sepse tashmë qytetarët e Kosovës e besojnë punën e Repartit të Onkologjisë dhe më nuk kanë nevojë që të dalin në rajon për të kërkuar shërim.
Cili është lloji i kancerit që i prek më së shumti njerëzit në Kosovë?
Zakonisht rastet ma të shpeshta, varësisht prej gjinisë e që i prekin, te gjinitë mashkullore rastet ma të shpeshta janë, kjo është trend botëror, jo te na janë rastet me prostatë dhe pulmor, pra, në mushkëri. Kurse tek femrat është kanceri i gjirit dhe i mushkërive. Këto janë raste më të shpeshta dhe në botë jo vetëm në klinikën tonë.
Ndërsa vdekshmëria më e madhe sikur te femrat dhe te meshkujt është prej mushkërive. Pastaj, vjen gjiri, prostata e të tjera.
Në Kosovë janë kanceri i gjirit tek femrat dhe kanceri i mushkërive tek meshkujt.
Sot është dita botërore kundër kancerit, çfarë i këshilloni të gjithë personat që tashmë janë diagnostifikuar me sëmundjen e kancerit?
E para është vetëdijësimi ose edukimi shëndetësor i popullatës në mes të aplikimit të programit të skreningut, të kenë kontrolle të rregullta dhe ekzaminime fizike tek mjeku, mos konsumoni duhan dhe alkool, mos u ekspozoni ndaj faktorëve të jashtëm si rrezatimi, menaxhojeni stresin, bëni aktivitete fizike, ushqehuni mirë dhe të gjitha këto të dërgojnë në ata që të eliminohen shkaktarët dhe me kta edhe të mos shfaqen rastet e reja me kancer. Por edhe në rastet që shfaqet, zbulimi i hershëm ka një prognozë shumë ma të mirë edhe të trajtimit dhe një mbijetesë ma të mirë.
Kryesorja është që në këto raste nëse ka ndodhë që të ka sëmundjen malinje atëherë të zbulohet sa më herët që të jetë e mundur, meqenëse trajtimi i tyre është më efikas dhe sa më herët që është stadi i sëmundjes përdorimi i terapisë është aq më i lehtë dhe e përballueshme edhe për pacientët edhe për familjarët.
Andaj, këshillë e imja është që të bohet vetëdijësimi i popullatës, kontrolla të rregullta, ekzaminimi te mjeku, diagnostifikimi i hershëm edhe me kta të lajmërohen menjëherë nëse vërejnë ndonjë ndryshim çfaredo qoftë ai. Diagnostifikimi i hershëm do të thotë mbijetesë.
Po për ata që nuk janë të diagnostifikuar?
Të gjithë ata që kanë histori familjare pozitive, duhet të bojnë kontrolla rutinë. Qoftë vetë kontrollë ose kontrollë te mjeku. Për çdo ndryshim që ata e vërejnë që nuk është normale duhet të kontrollohen. Gratë duhet të kenë kujdes më shumë dhe të bëjnë kontrolla të rregullta më shpesh./GazetaShneta/