Partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, po kërkon shkarkimin e menjëhershëm të menaxhmentit të SHSKUK-së, pas vdekjes së dyshimtë të pacientëve.
Deputetja e VV-së, Besa Baftiu, ka deklaruar për Gazeta Shneta se menaxhmenti jo që do të duhej të jepte dorëheqje morale, por edhe përgjegjësi.
“Vetë ministri Ismaili ka deklaruar se QKUK-ja është furnizuar me gaz i cili është prodhuar pa licencë në Kosovë dhe kjo tregon shumë për mënyrat e prokurimit për këtë lloj gazi dhe është e pamjaftueshme dorëheqja e menaxhmentit”.
“Ky është një argument se duhet kërkuar përgjegjësi pikërisht tek drejtori i SHSKUK-së dhe ish-ministri Imet Rrahmani”, ka deklaruar Baftiu.
Ajo ka kërkuar nga Prokuroria që hetimet për këtë rast të mos vonohen.
“Së paku për familjarët që ta dinë shkakun e vdekjes së pacientëve dhe kërkojmë që sa më shpejt të dilet me të dhënat e sakta se si ka ndodh vdekja e tyre”, ka shtuar deputetja e VV-së.
Më 7 shtator kanë vdekur tre pacientë në klinikat e QKUK-së. Shkak për këtë deri më tani dyshohet të jetë gazi oksidul dhe kjo pritet të vërtetohet pas analizave të autopsisë të cilat pritet të dërgohen në ndonjë nga shtetet e BE-së.
Deri më tani asnjë zyrtar nuk ka dhënë përgjegjësi dhe as dorëheqje, derisa ministri Ismaili ka paralajmëruar shkarkime. /Gazeta Shneta/