Zyra Ligjore e Ministrisë së Shëndetësisë ka konstatuar se organogrami i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar është në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi, Statutin e SHSKUK-së dhe Statutin e QKUK-së. Ky organogram ishte nënshkruar nga përbërja e kaluar e Bordit, dhe në bazë të tij janë punësuar disa drejtorë, shefa, zyrtarë e shërbyes
Bordi me përbërjen e kaluar ishte emëruar në kohën e Qeverisë Haradinaj kur ministër i shëndetësisë ishte Uran Ismaili i PDK-së. Ky Bord në përbërje të Prof. Naser Ramadanit, Fatmir Dragidella, Ardian Ferizi, Mirëdita Qeriqi-Hajdari, Enver Gashi, në nëntor të vitit 2018 kishte miratuar organogramin e ri, duke shfuqizuar strukturën organizative të miratuar në vitin 2014.
Por kjo strukturë e re e cila përfshinë dhjetëra pozita, drejtorë, shefa, zyrtar, shërbyes, etj, po del të jetë në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi, Statutin e SHSKUK-së të miratuar në vitin 2013 dhe Statutin e QKUK-së të miratuar në vitin 2014. Në këto pozita janë punësuar drejtorë dhe shefa, të cilët ose janë zyrtarë ose kanë lidhje të afërta me PDK-në.
Bordi i ri i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka marr një interpretim nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Shëndetësisë, se organogrami i miratuar nga përbërja e kaluar e Bordit të SHSKUK-së është në kundërshtim me ligjin. Këtë konstatim e ka konfirmuar edhe MSH në një përgjigje me shkrim për Gazetën Shneta.
Departamenti ligjor i MSH-së i është përgjigjur kërkesës së Bordit për interpretim më datën 20 maj. Në këtë përgjigje, Bordi është njoftuar me procedurat që duhet ndjekur për krijimin dhe aprovimin e organogramit të SHSKUK-së. Neni 45 i Ligjit për Shëndetësi përcakton që Statuti i SHSKUK-së është akti më i lartë juridik i këtij institucioni dhe nga ai derivon organizimi i brendshëm.
“Po ashtu, me Nenin 63 paragrafi 3 është përcaktuar që me Statut të SHSKUK përcaktohet: numri i njësive përbërëse, autorizimet e tyre, fushëveprimi, organizimi, funksionimi, të drejtat, detyrat, përgjegjësitë dhe mënyra e kryerjes së veprimtarisë, sipas këtij ligji. Në nenin 12 të Statutit të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës janë përcaktuar detyrat dhe përgjegjësitë e Bordit Drejtues të SHSKUK-së”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
“Paragrafi 2.2. i këtij Neni përcakton që Bordi përgatit propozimet e akteve të brendshme për organizimin e njësive organizativ (institucionet shëndetësore) dhe funksionale-administrative (shërbimet profesionale) të SHSKUK-së për miratim nga Ministri i Shëndetësisë. Andaj, sa i përket Organogramit – strukturës të SHSKUK-së, me numër protokolli 1576/2 të dt. 08/11/2018, Departamenti ligjor ka konstatuar se struktura organizative dhe funksionale-administrative e SHSKUK-së duhet të hartohet duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi”.
“Për hartimin dhe propozimin e organogramit të strukturës të SHSKUK-së, Departamenti ligjor i Msh nuk ka informata që Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka ndjekur/respektuar procedurat e sipërshënuara të përcaktuara me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga kryesuesi i Bordit të SHSKUK-së Dr. Xhevat Jakupi, për veprimet që do të merren pas kësaj përgjigje të zyrës së MSH-së, por Jakupi nuk ka kthyer përgjigje.
Në anën tjetër SHSKUK në një përgjigje me shkrim ka deklaruar se “Bordi i ShSKUK, e ka aprovuar organogramin inicial të ShSKUK në vitin 2014, i njejti është përditësuar më tutje nga Bordi i ShSKUK në vitin 2019. Për përgjigje lidhur me këtë çështje duhet të kontaktoni Bordin drejtues të ShSKUK”.
Gazeta edhe më parë ka raportuar për organogramin e ri dhe për shpikjen e disa pozitave të cilat kishin mundësuar punësime politike dhe familjare në QKUK. /Gazeta Shneta/