Klinika e ORL-së në QKUK është furnizuar me aparaturën e endoskopisë disa muaj pasi drejtori i kësaj klinike Dr. Hajdin Thaqi pati akuzuar drejtorinë e përgjithshme për investime në klinikat që janë ‘simpati’ e drejtorit Dr. Basri Sejdiu
Para disa muajsh drejtori i Klinikës së ORL-së në QKUK Dr. Hajdin Thaqi akuzoi rëndë drejtorinë e përgjithshme të SHSKUK-së se po investon vetëm në klinikat të cilat janë ‘simpati’ e drejtorit Dr. Basri Sejdiu. Thaqi pati thënë madje se menaxhmenti nuk kishte parasyshë shpëtimin e jetëve të fëmijëve dhe të rriturve në klinikën e ORL-së duke mos blerë pajisjet që nevojiteshin.
“Secili drejtor që vjen në QKUK, ai ia jep mundësinë shumë më tepër klinikës nga e cila ka ardhur për ta kompletuar me instrumentarium dhe me pajisje. Janë 37 klinika dhe nëse ne jemi në simpatinë e drejtorit ekzekutiv mundemi të pajisemi me diçka. Prej vitit 2007 është premtuar decentralizimi, i cili do të thotë që secila Klinikë të ketë një pavarësi në vete, duke e gëzuar një lloj buxheti. Derisa është premtuar decentralizimi, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Mjerisht ka ndodhur ajo që quhet centralizim i çeliktë, ku një njeri gëzon të gjitha mjetet dhe vendos nga t’i dërgojë ato mjete, duke mos pasur parasysh shpëtimin e jetëve të fëmijëve dhe të të rriturve”, pati deklaruar Thaqi.
Por disa muaj pas kësaj deklarate, ai ka mirëpritur në klinikë drejtorin Sejdiu bashkë me ministrin në largim të shëndetësisë Uran Ismaili për të përuruar aparaturën e endoskopisë për ndërhyrje kirurgjike në sinus, e njohur si FESS (Functional Endoscopy Sinus Surgery) e cila është blerë 100 mijë euro.
Thaçi tha se kjo pajisje, e cila është kërkuar që një kohë të gjatë, do të lehtësojë punën e specialistëve. “Sot Klinika e ORL-së është pajisur me instrumentin më bashkëkohore që quhet FES nga teknologjia e fundit një pajisje e tillë ka munguar dhe kërkesa ka qenë që të bëhemi me këtë pajisje”, tha ai.
“Jam i lumtur që këtij personeli që kanë sakrifikuar shumë po i japim mundësi ta kryejnë punën e tyre më të sigurte dhe më me pak telashe, premtoj se sektori i shëndetësisë do të jetë prioritet”, ka deklaruar Ismaili.
Drejtori i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu deklaroi se bashkimi i shumë akterëve ka arritur tek të një qëllim, që pacientët të jenë në qendër dhe të ju ofrohen shërbime sa më moderne, sa më lehta dhe sa më të lira.
“Të gjithë se bashku si ekip jemi duke bërë përmirësimin dhe modernizm në institucionet tona , institucionet tona publike shëndetësore. Veç ardhja e një aparati modern që mundëson intervenime më të mëdha, me pak trauma me pak prerje dhe fare prerje thuajse. Kjo është gjë shumë e mirë, përfitueset më të mëdhenj pacientët. Klinikën e ORL, do të vazhdojmë të përkrahim si çdo të klinikë tjetër” deklaroi drejtori Sejdiu. /Gazeta Shneta/