Organi i Shqyrtimit të Prokurimit Publik e ka lejuar QKUK-në të shpërblejë kompaninë “Solution D” me çmimin më të shtrenjtë për mjete të sallës operative në Kardiokirurgji
Qendra Klinike Universitare e ka shpërblyer kompaninë “Solution D” me kontratë mbi 242 mijë euro për furnizim me material jashtë Listës Esenciale për sallën e Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Për këtë kontratë QKUK kishte oferta shumë më të lira. Një nga to, “Liri – Med” kishte ofertuar me 187 mijë euro, ndërsa më e lira ishte “Matos Pharm” me 92 mijë euro.
“Liri – Med” ka ushtruar edhe ankesë në Organin e Shqyrtimit të Prokurimit Publik, por ky i fundit e ka lejuar QKUK-në që të vazhdojë me operatorin më të shtrenjtë.
OSHP fillimisht e kishte kthyer në rishqyrtim lëndën duke rekomanduar SHSKUK-në që të kërkojë sqarime shtesë nga operatori ankues, por sipas ekspertit shqyrtues, QKUK e ka respektuar pjesërisht vendimin e panelit shqyrtues.
“Ekspertja teknike sqaron se OE i rekomanduar ka ofertuar me çmimin më të lartë se OE ankues, megjithatë kërkesë e dosjes së tenderit ka qenë: oferta e përgjegjshme me çmimin më të ulët, andaj i mbetet panelit shqyrtues të vlerësojë këtë”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Paneli Shqyrtues e ka miratuar pjesërisht ankesën e “Liri – Med”, ndërsa e ka lejuar QKUK-në që të vazhdojë me kontraktimin e operatorit “Solution D”. /Gazeta Shneta/