Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani ka vizituar sot Klinikën e Neonatologjisë në QKUK, ku ka falënderuar mjekët dhe infermierët për kujdesin e tyre ndaj foshnjave. Ajo ka thënë se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave, punëtorët shëndetësorë do të kenë rritje të pagave
“Sot kam ardh në këtë vizitë si kryetar e Kuvendit, si simbolik që të filloj aty ku fillon jetë dhe për të treguar se ne si Kuvend do të bëjmë të pamundurën që t’ia përkujtojmë qeverisë se shëndetësia duhet të jetë mbi të gjitha prioritetet”, ka deklaruar Osmani, shkruan Gazeta Shneta.
“Ky shtet do të bëhet vetëm kur ne e vendosim prioritet jetën e foshnjave. Dua të theksoj rolin e grave doktoresha dhe infermiere të cilat përbëjnë shumicën në këtë klinikë dhe që bëjnë punë të palodhshme që foshnjat të dalin të shëndetshme nga këtu”, ka thënë Osmani.
Osmani është pyetur nga Gazeta Shneta lidhur me qëndrimin e koalicionit për Ligjin e Pagave të cilin e ka pezulluar Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit të kaluar. Ajo ka thënë se pavarësisht vendimit të gjykatës, punëtorët shëndetësorë do të kenë rritje të pagave.
“Mjekët, infermierët dhe stafi tjetër mjekësor meritojnë rritje të pagave dhe mënyra se si janë trajtuar deri më tani ka qenë jo e dinjitetshme dhe pavarësisht çfarë ndodh me ligjin nëse duhet ta hartojmë nga fillimi apo vetëm të merremi me dispozita të caktuara, punëtorët shëndetësorë meritojnë trajtim më të mirë sesa kanë pasur deri më tani për shkak të profesionit të shenjtë që kanë”, ka deklaruar Osmani.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë Dr. Xhevdet Gojnovci ka falënderuar Osmanin për vizitën e saj. Ai ka thënë se është mirë që kryetarja e Kuvendit ka vizituar klinikën ku fillon jetë dhe nga këtu të përkrahen politikat shëndetësore.