Kryeministri Avdullah Hoti ka vizituar sot Ministrinë e Shëndetësisë ku është pritur nga ministri Armend Zemaj. Hoti dhe Zemaj vijnë të dy nga LDK, dhe pas këtij takimi janë zotuar për transparencë, përkrahje të stafit shëndetësor dhe avancim të sistemit shëndetësor.
Kryeministri Hoti dhe ministri Zemaj janë takuar me zyrtarët e lartë të MSH-së, me të cilët përveç që nuk kanë mbajtur maska, janë parë ulur fare afër njëri-tjetrit në dhomën e takimeve në këtë ministri, shkruan Gazeta Shneta.
Hoti dhe Zemaj nuk kanë pranuar pyetje nga gazetarët, përkundër se këta të fundit kanë pritur për gati një orë deri në përfundim të takimit të tyre. Ndërkaq pasi dolën than se do të punojnë në realizimin e planit të tyre kundër pandemisë, do të përkrahin stafin shëndetësor dhe do të avancojnë sistemin shëndetësor.
“Do të punojmë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në interes të publikut dhe mbi të gjitha të ruajtjes së shëndetit publik dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe të avancojmë sistemin shëndetësor në vend”, ka thënë Zemaj.
Hoti në anën tjetër ka thënë se kanë një plan mjaft të zhvilluar për përballje afatgjate me këtë pandemi, e cila sipas tij mundëson që, ndërkohë që hapen gradualisht shoqëritë, bizneset, arsimi dhe institucionet, në të njëjtën kohë të ndërmarrim masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit.
“Atë që drejtori i Institutit vazhdimisht e ka thënë që të mos i japim virusit këmbë që të shkojë nga një person te personi tjetër, duke ndërtuar një rrjetë të institucioneve shëndetësore nga niveli terciar deri në nivelin primar publik dhe privat, duke e fuqizuar në veçanti stafin shëndetësor që janë përballja e parë me rastet potenciale”, ka deklaruar Hoti.
Hoti ka ngushëlluar familjet e personave të prekur nga kjo pandemi, derisa u ka uruar shërim atyre që janë në trajtim e sipër dhe ka falënderuar gjithë stafin mjekësor, stafin mbështetës dhe gjitha strukturat për punën kolosale që kanë bërë gjatë 2-3 muajve të fundit në përballje me këtë pandemi. /Gazeta Shneta/