Diellza Kolgeci me këtë seri të fotografive zgjedh kryengritjen, pikërisht ndaj mentaliteteve arkaike. Me sferën si simbol të përsosmërisë dhe globin si simbol i orientimit, ajo përçon mesazhin për një botë ndryshe, më të bukur.
Njomëza Luci shkrin kreativitetin e saj në ngjyrë bronzi dhe momentet që i kap syri i Arton Humollit, ngjajnë me skulpturat më të bukura njujorkeze. Ato na kujtojnë fatin tragjik të muzës më të madhe të artistëve të fillimshekullit XX, Audrey Munson – simbol i bukurisë, e më vonë i tragjedisë së gruas. Ndaj, është pikërisht mungesa e koloritit ajo që shpërfaq realitetin e hidhur, të cilin Diellza synon ta luftojë.
Në këto imazhe shihen përulja dhe bukuria si mallkim. Aty shihet dhembja, por jo edhe loti si çlirim. Shihet vuajtja e gruas që shpreson të mos mendojë e të mos flasë asgjë. Aty është edhe ëndrra për gjërat që ka mundur t’i bënte.
Por, Diellza i bëri – përmes pozave si monumente të pabarazisë e ngjyrosur nga duart e arta të Njomëzës. Ndërsa, Artoni si mjeshtër i artit fotografik i fiksoi më së miri këto momente dhe këtë mesazh.
Bukuria dhe forca e gruas e bënë edhe një hap tjetër para, jo vetëm drejtë thyerjes së tabuve, por edhe drejtë thyerjes së mureve të stereotipave gjinorë. /Telegrafi/