Dy pacientëve të cilët kanë ndërruar jetë para disa ditëve në QKUK, e që vdekjet e tyre janë cilësuar si të dyshuara nga ana e organeve të hetuesisë, nuk u është kryer autopsia.
Ata janë varrosur ditë më parë duke mos u zbardhur kështu tërësisht shkaktarët që kanë çuar deri në vdekjen e tyre. Sipas versionit zyrtar, vdekja dyshohet se është shkaktuar nga gazi oksidull, i cili është gjetur duke u prodhuar në Kosovë pa licencë.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se që nga dita e enjte në klinikat kirurgjike në QKUK, janë raportuar dy raste të vdekjeve të ndodhura gjatë operacionit.
Por, këtyre dy rasteve, edhe pse të cilësuara si vdekje të dyshimta nuk u është kryer autopsia. Kjo pasi që familjarët e pacientëve të ndjerë kanë nënshkruar dokumentin përmes të cilit ata nuk lejojnë që viktimave te cilat kanë ndërruar jetë në operacion t’u bëhet autopsia.
Viktimat tashmë janë varrosur. Por, do të jenë organet e hetuesisë, të cilat janë duke e hetuar rastin, ato që do të mundë ta bëjnë zhvarrosjen e këtyre dy personave për t’i zbardhur plotësisht shkaktarët që çuan deri në vdekjen e tyre.
Shemsi Veseli, anëtar i Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), ka konfirmuar të enjten për Gazetën Express se kanë qenë familjarët e pacientëve të ndjerë ata të cilët nuk kanë dashur që atyre t’u kryhet obduksioni. Për njërin rast, siç shpjegon Veseli, ka dokument të nënshkruar nga familjarët që nuk po lejon kryerjen e obduksionit, ndërsa për rastin tjetër në mënyrë verbale familjarët kanë refuzuar kryerjen e autopsisë.
“Kolegët tanë kanë kërkuar që t’u bëhet obduksioni, por familjarët e kanë nënshkruar dokumentin që nuk po duan që t’u bëhet obduksioni. Për njërin rast është me shkrim dokumenti që familjari nuk ka lejuar që të kryet obduksioni. Për tjetrin është verbal, d.m.th. në aspektin gojor. Obduksionet nuk janë bërë, dhe kjo tashmë nuk është në dorën tonë”, ka shpjeguar Veseli.
Ai, gjithashtu, ka treguar se me Ligjin e ri, ekipi mjekësor është i obliguar që ta marrë miratimin e familjes së pacientit për obduksion.
“Ne me ligjin e ri nuk na lejohet që çdo vdekje si të dyshuar e kemi pas obligim që ta dërgojmë në Mjekësinë Ligjore dhe t’u bëhet obduksioni. Me ligjin e ri kur vdes pacienti, ai nuk llogaritet më që është pacient. Por nga aspekti ligjor familja nëse kërkon nga prokuroria, atëherë është në dorën e prokurorit a do t’i bëhet kufomës obduksioni”, ka thënë Veseli.
Ndërkohë, rezultatet e analizave të Institutit të Toksikologjisë në Tiranë do të zbardhin shkaktarin e dy vdekjeve të dyshimta, të cilat kanë ndodhur gjatë javës së kaluar në sallat e Klinikës së Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Për vdekjet e dyshimta që kanë ndodhur në QKUK, Prokuroria e Shtetit ka autorizuar policinë që të nisë hetimet. Gjithashtu është duke u hetuar edhe kompania kontraktuese për furnizim me gaz mjekësor.