Ndonëse kanë vdekur 11 pacientë nga gripi sezonal, një prej tyre i moshës 10-vjeçare, Qendra Klinike Universitare po përballet ende me mungesën e barit Tamiflu i cili është bazik në rastet e gripit sezonal.
Mungesën e këtij medikamenti e kanë konfirmuar edhe nga QKUK, por zyrtarët thonë se pacientët nuk kanë pas nevojë për këtë bari. “Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës njofton se asnjë pacient nuk ka pasur nevojë për të marrë produktin TAMIFLU, pasi që bari jepet tek të diagnostikuarit me virusi AH1N1, e që nuk pasur asnjë rast të tillë”, thuhet në reagimin e QKUK-së, shkruan Gazeta Shneta.
Në fakt ka qenë vet Komiteti i Gripit Sezonal i cili ka konfirmuar se katër nga 11 të vdekurit, kanë ndërruar jetë si pasojë e gripit të derrit apo AH1N1. Poashtu Gazeta Shneta ka raportuar se edhe pacienti Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, është detyruar që ta blej këtë produkt në Shkup, pasi ka pasur mungesë në klinikën ku ai po trajtohet nga virusi.
Sipas mjekëve të QKUK-së, “TAMIFLU jepet në dy ditët e para të simptomave sëmundjes, e që të sëmurit lajmërohen në klinikë tek në javën e dytë të trajtimit dhe nuk indikohet përdorimi i TAMIFLU”.
Në reagimin e QKUK-së thuhet se rastet e lajmëruara deri tani kanë qenë me probleme kronike dhe kardio-respirtore dhe nuk ka pasur një indikacion për përdorim Tamiflu.
“Asnjë mjek i klinikës Infektive nuk ka dhënë udhëzim apo indikacion për përdorim të produktit TAMIFLU tek asnjë i sëmurë”.
Për rastin e Albin Kurtit, mjekët e Infektivës thonë se nuk është përdorur ky produkt pasi nuk ka pasur indikacion.
“Tek një rast që është raportuar në medie se ka blerë TAMIFLU nuk është dhënë bari dhe është kërkuar nga mjekët e klinikës që mos të përdoret sepse nuk ka pasur indikacion. Ky produkt është ndaluar në shumë vende si në Amerikë dhe vende të tjera duke u hequr atë nga përdorimi”, thuhet në reagim.
Për mungesën e këtij bari ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Dr. Haxhi Avdyli, i cili ka kërkuar përgjegjësi nga ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, duke e pyetur se edhe sa pacientë duhet të vdesin që klinika të furnizohet me këtë produkt. /Gazeta Shneta/