Hulumtimi i ri i paraqitur këtë javë në ACR Convergence, në takimin vjetor të Kolegjit Amerikan të Reumatologjisë, tregon se pacientët me imunitet të kompromentuar që përdorin rituximab (një bari i përdorur për trajtimin e sëmundjeve si artriti reumatoid) ishin në gjendje të prodhonin antitrupa kundër COVID-19 pasi morën një dozë të tretë (edhe nëse nuk ka pasur zhvillim të antitrupave pas dy dozave të para të vaksinës).
COVID-19 shkaktohet nga koronavirusi i ri SARS-CoV-2. Kjo sëmundje ka çuar në vdekjen e miliona njerëzve në mbarë botën, përfshirë ata që ishin të imunokompromentuar, shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.
Pas rekomandimit të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), që disa pacientë me imunitet të kompromentuar të marrin një dozë të tretë të një vaksine COVID-19, Kolegji Amerikan i Reumatologjisë, lëshoi udhëzime të përditësuara të vaksinave për pacientët me sëmundje reumatike, duke përfshirë pacientët që përdorin terapinë me rituximab.
Studiuesit vendosën të zbulojnë se sa efikase dhe e sigurt do të ishte një dozë e tretë e vaksinës për këta pacientë.
Për të trajtuar efikasitetin dhe sigurinë e një doze të tretë të vaksinës COVID-19, studiuesit kryen një provë klinike të verbër, e të rastësishme, duke krahasuar vaksinimin shtesë të dozës së tretë te individët që morën regjimin fillestar të një vaksine ARNm (Pfizer/BioNTech ose Moderna), por që nuk zhvilluan një përgjigje të rëndësishme antitrupore.
Studimi kërkoi të përcaktojë ndryshimin në zhvillimin e antitrupave SARS-CoV-2 midis përdorimit të dozës së tretë të së njëjtës vaksinë kundrejt kalimit në një vaksinë tjetër me bazë vektoriale (Oxford/AstraZeneca).
Gjashtëdhjetë pacientë që i nënshtroheshin trajtimit me rituximab, të cilët nuk formuan antitrupa pas vaksinimit primar me vaksinat Pfizer/BioNTech ose Moderna, u caktuan të merrnin një dozë të tretë të të njëjtës vaksinë me bazë ARNm ose vektoriale nga Oxford-AstraZeneca.
Pika përfundimtare kryesore ishte diferenca në shkallën e zhvillimit të antitrupave SARS-CoV-2 midis pacientëve të vaksinuar me vektorin viral (AstraZeneca) dhe me bazë ARNm (Pfizer dhe BioNTech) deri në javën e katërt.
Pikat kryesore dytësore përfshinin zhvillimin e përgjithshëm të antitrupave dhe përgjigjen imune qelizore. Siguria u vlerësua gjithashtu gjatë gjithë studimit.
“Rezultatet nga studimi ynë mbështesin efikasitetin dhe sigurinë e një vaksinimi shtesë përforcues në pacientët me imunosupresion, pavarësisht nëse është e njëjta vaksinë apo një tjetër,” thonë autorët e studimit.
“Të dhënat tona ofrojnë dëshmi se pacientët e imunosupresionuar duhet të marrin një vaksinim shtesë përforcues.”/Gazeta Shneta/