Pacienti N.P. është ankuar në adresë të Gazetës Shneta pasi kishte kryer një test serologjik në laboratorin e Qendrës Diagnostike ‘Human+’.
Ai ka dërguar në adresë të gazetës raportin e analizave të lëshuar nga Dr. Sebahate Ahmetaj, ku thuhet se pacienti ka rezultuar “Lehtë pozitiv” në imunoglobulinën M, që i bie se ai ka filluar të zhvilloj antitrupa pasi është në fazën e parapërfundimit të virusit Sars-Cov-2.
Por një ditë më vonë pacienti N.P. kishte shkuar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për të bërë testin RT PCR, me të cilin u diagnostikua negativ.
“Më ka shqetësuar shumë rezultati pozitiv në laboratorin privat”, ka thënë ai, teksa ka treguar vështirësitë për të bërë një test PCR. Ai ka thënë se nuk ka mundur të qetësohet derisa ka arritur të marr rezultatin negativ në IKSHPK.
Doktoresha Ahmeti mohon të jetë bërë ndonjë gabim në analizën serologjike në rastin e këtij pacienti. “Nuk ka shanse të ketë ndodhur ndonjë gabim, e aq më pak të jetë bërë qëllimshëm. Ne kemi pas raste kur vet pacientët kanë kërkuar t’ua shkruajmë rezultatin negativ për qëllime të udhëtimit, por asnjëherë nuk kemi pranuar. Rezultatet e testeve janë të sakta”, ka deklaruar Ahmetaj.
Edhe në raste të tjera pacientët janë ankuar për testet në laboratorët privat. Kujtojmë se laboratori Medical Services kryen teste rapide PCR të cilat kushtojnë deri në 200 euro. Kjo ka shkaktuar zemërim të opinionit, pasi ky laboratorë dyshohet poashtu të jetë i lidhur me biznesmenët Devolli. Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë është zotuar se do të monitorojë punën e laboratorëve. /Gazeta Shneta/