Me hapjen e dhjetra laboratorëve të rinj në Kosovë, biokimistëve iu është rritur çmimi nga qindra në mijëra euro pagë mujore për licencat e tyre. Kjo ka bërë që dy spitale publike të mbesin pa biokimistë. Në kushte normale këto dy spitale do të duhej të mbyllnin shërbimin e biokimisë.
Dy spitale publike në Kosovë janë duke ofruar shërbimin e analizave pa mbikëqyrje të specialistit të biokimisë. Kjo për shkak se mjekët e kanë lënë punën në Spitalin e Vushtrrisë dhe Ferizajt, dhe kanë kaluar në sektorin privat, shkruan Gazeta Shneta.
Profesioni i specialistit të biokimisë është shndërruar në biznes mjaft fitimprurës për shkak të hapjes së dhjetra laboratorëve të rinj dhe kërkesave të shumta për analiza dhe teste të Covid-19.
Një licencë e biokimistit para pandemisë i ka kushtuar një laboratori deri në 500 euro, ndërsa kjo pagë tashmë ka shkuar deri në 2 mijë euro. Me udhëzimin administrativ për licencimin e institucioneve private, një biokimist mund të punojë deri në dy laboratorë, në njërin me orar të plotë tetë orësh kurse në të dytin me gjysmë orari katër orësh. Megjithatë edhe ky udhëzim nuk respektohet sa duhet për faktin se biokimistët në plot raste punojnë në më shumë se dy laboratorë me ndarje të orarit nga katër orë.
Spitali i Ferizajt ka mbetur pa biokimist që nga fundi i vitit 2021. Ai e ka shkëputur kontratën me këtë spital dhe tani punon në sektorin privat.
“Nuk kemi biokimist. Në fund të 2021 një biokimist që e kemi pas e ka ndërpre punën për të kaluar në sektorin privat. Kemi kërku mirëpo nuk ka biokimist të papunë”, ka deklaruar ud. drejtori i spitalit Isa Berisha për Gazetën Shneta.
Në një situatë të njejtë është edhe Spitali Rajonal në Vushtrri. Edhe në këtë spital nuk është asnjë biokimist pasi që dy specialistët që kanë qenë në spital kanë kaluar në sektorin privat.
“Nevojat e Spitalit për biokimist janë të mëdha, për çka edhe kemi nis procedurën për publikimin e konkursit për plotësimin e vendeve të lira dhe të nevojshme për biokimist”, thotë Abdullah Klinaku, shef i personelit në spitalin e Vushtrrisë.
Në këtë spital dhe në atë të Ferizajt shërbimet laboratorike jepen vetëm nga laborantët dhe teknik – laborantët e spitalit.
Dy biokimistë e kanë lënë punën edhe në Spitalin e Gjilanit, duke e lënë këtë institucion me vetëm një të tillë. Kështu ka bërë të ditur drejtori i spitalit Arsim Emini. Ai ka thënë se vetëm një biokimist është i pamjaftueshëm për të mbuluar kujdestaritë.
“Për me e organizu punën na duhen minimum edhe 2 biokimistë. E kemi vetëm një biokimist, dy e kanë lëshu punën”, tregon ai për Gazetën Shneta.
Sa i përketë laborantëve, Emini tregon se janë 12 laborantë dhe se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë kryer rreth 13 mijë shërbime laboratorike ndërsa brenda një viti kryhen rreth 25 deri në 30 mijë shërbime të tilla.
Me një biokimist është edhe Spitali Regjional në Mitrovicë. Drejtoresha e spitalit, Luljeta Zhubi thotë se është i pamjaftueshëm.
Në këtë spital janë nëntë teknik laborantë. Ndërkaq me nga dy biokimistë janë Spitali Regjional në Prizren dhe ai në Gjakovë.
Sipas menaxherëve të spitaleve kanë nevojë për më tepër biokimistë në mënyrë që të ofrohen më tepër shërbime për pacientët e në këto rrethina.
“Meqenëse jemi dy biokimistë nuk ka ngecje në menaxhimin e punës në laborator, por gjithmonë mendojmë për të ardhmen dhe zgjerimin e gamës së analizave”, thonë nga spitali i Gjakovës. Në këtë spital janë 17 laborantë dhe brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti janë kryer mbi 225 mijë analiza laboratorike.
Ndërsa në gjendje pak më të mirë është spital i Pejës. Ky spital ka tre biokimistë por megjithatë nga spitali thonë se kanë nevojë edhe për dy biokimistë të tjerë.
Në këtë spital ofrohen 20 lloje të analizave dhe gjatë periudhës gjashtë mujore të këtij viti mbi 80 mijë lloje të analizave nga tre biokimistët dhe 16 laborantët në këtë spital.
Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës në nivel vendi janë të punësuar 61 biokimistë, 26 në nivel terciar, 15 në nivel sekondar dhe 20 në nivel primar.
Biokimistët mbikëqyrin analizat laboratorike të pacientëve, përmes së cilave arrijnë të diagnostikohen shumë sëmundje, mirëpo pavarësisht nevojës së spitaleve e institucioneve tjera shëndetësore për biokimistë Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk i ka të akredituara tre drejtimet, për biokimist, laborant dhe teknik – laborant.
“Nuk kemi programe të tilla të akredituara në Fakultetin e Mjekësisë”, thotë shkurtimisht nga Universiteti i Prishtinës në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Gazeta Shneta ka kërkuar sqarim edhe nga ShSKUK pse ka mungesë të biokimistëve në spitalet rajonale në vend mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta Shneta/