Vendimi i Qeverisë Haradinaj për dyfishimin e pagave të zyrtarëve qeveritarë ka lënë larg sektoret tjera me të ardhurat mujore. Pas këtij vendimi një shofer qeverie do të paguhet më shumë sesa një mjek që kryen deri në pesë operacione në ditë në QKUK
Ramush Haradinaj e ka prezantuar si arritje të Qeverisë dyfishimin e pagave për zyrtarët qeveritarë. Ka premtuar se rritje të pagave do të ketë edhe për mjekë e arsimtarë pasi të miratohet Ligjin për Nivelizimin e Pagave.
“Pagat në sektorin publik janë rritur. Jemi në proces me Ligjin për nivelizimin. Do të ketë rritje edhe për mjekët dhe arsimtarët. Gjyqtarët dhe Prokurorët kanë pasur rritje me rritjen e fundit”, ka thënë Haradinaj, në një tubim partiak.
Me këtë rast, Haradinaj, ka konfirmuar se pagat e zyrtarëve të Qeverisë, Prokurorisë dhe Gjykatave do të merren me rritje, ashtu siç kishte vendosur para gjashtë muajsh.
Shefi i Qeverisë pritet të ketë pagë 2950 euro, ndërsa ministrat deri në 2 mijë euro. Më këtë vendim edhe shoferët në Qeveri do të marrin pagë më të madhe se 700 euro. Një mjek specialist që mund të kryej deri në 5 operacione në ditë, pagën bazë nuk e ka më shumë se 600 euro.
Vendimi i Qeverisë Haradinaj ka bërë që Federata e Sindikatave të Shëndetësisë të reagojë duke kërkuar që Ligji për Pagat ku parashihet rritja e rrogave për personelin shëndetësorë, të shkojë në procedim deri në fund të këtij muaji. Në të kundërt, krerët e FSSHK-së kanë paralëjmëruar kolaps në spitalet publike. Për respektimin e drafit të propozuar për personelin shëndetësor në Ligjin e ri për Pagat, ka reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës. /Gazeta Shneta/