Pas lirimit, Tolaj akuzon kompanitë farmaceutike për “luftë shtrigash” ndaj tij

2018-06-06 në ora 13:36

Ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, është shpallur i pafajshëm në akuzat për keqpërdorimin e detyrës zyrtare bashkë me disa zyrtarë të tjerë të MSH-së.

Tolaj e ka quajtur procesin ndaj tij si “luftë të shtrigave”, që sipas tij e kanë bërë kompanitë farmaceutike bashkë me disa zyrtarë të Ministrisë. “Kundër meje është bërë një luftë shtrigash me qëllim që të përjashtohem nga çdo lloj aktiviteti i jetës politike pavarësisht kësaj jam falënderues i të gjithë atyre që i kanë besuar pafajësisë sime si dhe gjykatës që përkundër presionit ka marrë një vendim të drejtë”, tha Tolaj.

“Janë dy elemente që e bëjnë këtë punë: janë kompanitë famaceutike, elementet kriminale të tyre, dhe politika e lidhur me ta”, tha Tolaj. “Në janar kur unë jam arrestuar, depoja ka qenë deri në tavan e mbushur me barëra ndërsa sot nëse shkoni nuk keni asnjë gjilpërë”, shtoi ai. Ai tha se këtë muaj janë bërë 10 vjet qëkur kanë filluar hetimet ndaj tij. “Nuk ka të bëjë me blloqe politike por me politika të interesit”, u shpreh Tolaj.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve përbëhej nga tri pika. Pika e parë akuzon Ilir Tolajn, Bekim Fushën dhe Zenel Kuqin se gjatë periudhës 23. 5.2011 deri 31.12.2011 në Prishtinë, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI” sh.p.k. me bashkëpronarë Arion Lleshin dhe Shpend Aganin, i tejkaluan kompetencat si dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre.

Këto veprime të të akuzuarve kompanisë “KMI” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 400.000 euro. Në vlerë të njëjtë ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës. /kallxo.com