Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka shpallur ftesën për kompanitë e interesuara që të ofertojnë për gazin oksidul, por kësaj radhe duke vendosur kusht që i njëjti prodhohet ose përdoret në vendet e Bashkimit Evropian.
QKUK-ja, spitali i Gjilanit dhe Gjakovës furnizoheshin me oksidul nga kompania “Bubeari Komerc” e cila prodhonte këtë gaz në Kaqanik. Ky produkt i kësaj kompanie dyshohet të jetë shkaktari i vdekjes së pacientëve në QKUK.
Pas këtij skandali, SHSKUK-ja vendosi të heq nga përdorimi gazin në të gjitha spitalet, përfshi edhe ato që nuk furnizoheshin nga i njëjti operator.
Spitalet e përgjithshëm në Pejë; Prizren; Mitrovicë; Vushtrri e Ferizaj kanë pasur kontratat më kompaninë tjetër – “Messer”.
Zyra për Media e SHSKUK-së ka deklaruar për Gazeta Shneta, se tashmë është shpallur thirrja për blerjen e oksidulit, por me kusht që i njëjti prodhohet ose përdoret në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian.
SHSKUK-ja duke tentuar që të heq përgjegjësinë nga vetja, thotë se OSHP-ja e detyroi t’ia jap tenderin kompanisë nga Kaçaniku.
“Vlen të theksohet se QKUK – kishte shpallur si fituese apo të përgjegjshëm operatorin – Messer, derisa Organi Shqyrtus i Prokurimit Publik, apo siç quhet ndryshe GJYKATA E TENDERIT, më vendim ekzekutiv ka obliguar QKUK-në që të mos lidhë kontratën më MESSER që e kishim shpallur fitues POR ka shpallur fitues kompaninë – Bubeari nga Kaqaniku, cila tashmë është e njohur për opinion dhe po hetohet për gazin Oksidudull (N20) nga organet kompetente, dhe edhe neve, jemi në prirje të rezultateve të këtij produkti – përmes organeve të drejtësisë që tashmë po merren më hetimin e këtij rasti”, thotë zyra e SHSKUK-së.
Kjo e fundit tani ka publikuar thirrjen për operatorët, por kësaj radhe ka vendosur kushte.
“Derisa në këtë situatë – SHSKUK ka shpallur ftesë për të gjitha kompanitë e interesuara që operojnë në Kosovë dhe që plotësojnë kriterin fillestar të posedimit të licencës si Depo Farmaceutike – dhe këto pastaj të na sjellin në SHSKUK produktin “gazra medicinal” nga kompani të huaja që atë produkte ose e prodhojnë në një nga vendet e BE ose atë produkt e importojnë apo i njëjti produkt përdoret në ndonjërin nga vendet e BE”, thuhet tutje.
QKUK-ja pritet të furnizohet nga një kompani e cila do të kontraktohet me procedurë të negociuar, sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës.
Për momentin SHSKUK-ja ka sqaruar se përmes grupeve profesionale ka udhëzuar klinikat që të shfrytëzohet çdo alternativë tjetër për anestezion, përveç gazit oksidul.
“Sqarojmë po ashtu se – Aktualisht – gazi Okdidull (N20), nuk po përdoret nga as edhe një Institucion Shëndetësor, pra nga as një Institucion Shëndetësor as publik dhe as privat”, ka deklaruar Zyra e SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/