Klinika e Neurokirurgjisë në QKUK ka lëshuar sot një komunikatë për media, ku vetlavdërohet për një ndërhyrje të suksesshme, vetëm një muaj pasi në këtë klinikë vdiq një pacient në rrethana të dyshimta. Vdekja e tij dhe 2 të tjerëve po hetohet nga Prokuroria.
Në njoftim thuhet se në Klinikën e Neurokirurgjisë po vazhdojnë sukseset në ndërhyrjet kirurgjike të patologjive cerebrovaskulare, si intervenimet më të sofistikuara, me përvojë mbi 30 vjeçare me këto patologji.
“Javën e kaluar është realizuar me sukses operimi i një pacienti A.K. 45 vjeç, me Aneurizmë të Arteries Cerebri Anterior djathtas (ACA A2/A3 lat. dex), nga pëlcitja e së cilës është shkaktuar gjakderdhje subaraknoidale dhe intrahemisferike në regjionin ballor të trurit”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj klinike, transmeton Gazeta Shneta.
Zyrtarët e Neurokirurgjisë thonë se këtij pacienti për realizimin e këtij intervenimi kirurgjik në disa spitale të shteteve regjionale (Tiranë) i kanë kërkuar shumën prej 30.000 euro e që varirorjnë deri në 50.000 euro (Turqi).
Operacioni është kryer nga Neurokirurgët Prof. Dr. Arsim Morina dhe Ass.Dr.Sc. Agon Mekaj, në operacion kanë marr pjesë anesteziologjia, Prof Ass.Dr. Qamile Morina, ekipi i instrumentareve dhe teknikëve të anestezionit.
Diagnostifikimi është bërë me bashkëpunim të vazhdueshëm profesional nga radiologu Dr. Bujar Gjikolli.
“Gjendja shëndetësore post operative e pacientit është shumë e mirë, pa deficite neurologjike dhe është liruar në shtëpi”, përfundon njoftimi.
Në këtë klinikë ishte operuar edhe i ndjeri ish-kryeministri Bajram Rexhepi, pas dy sulmeve në tru. Ka qenë pikërisht neurokirurgu Arsim Morina, i cili së bashku me drejtorin e SHSKUK-së dolën në konferencë për media ku e cilësuan ndërhyrjen si të suksesshme.
Rexhepi mbeti në koma nga ky operacion për rreth tre muaj dhe ndërroi jetë në një spital në Turqi. Gazeta Shneta pati raportuar për mundësinë e shërimit që nuk ia ofroi QKUK-ja, sikur të aplikohej protokolli i trombolizës. /Gazeta Shneta/