UD. Drejtoresha e Shërbimeve të Përbashkëta Administrative në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Havushe Rexhepi, ka deklaruar se ka mbi 7 mijë euro para të gatshme të mbajtura në institucionet financiare në vend. Ajo gjithashtu është në kredi 5 mijë euro për blerje të veturës.
Rexhepi në emër të bashkëshortit të saj ka një banesë në vlerë 100 mijë euro me 72,76 metra katror.
Paga mujore e saj në pozitën që mban është 944 euro e 53 cent.
Rreth 14 mijë euro në vit paguhet drejtori i sektorit të Auditimit të Brendshëm, Musa Vitija.
Ai ka deklaruar se në bankë ka 2 mijë e 600 euro, ndërsa gjithashtu ka deklaruar se është në borxh 10 mijë euro.
Sa i përketë pasurisë së palujtshme Vitija ka një shtëpi me 140 metra katror në vlerë 70 mijë euro, si dhe tokë në vlerë 94 mijë euro.
Vitija po ashtu ka deklaruar se kompania “PASTËRTIA” Sh.P.K është në pronësi të fëmijëve të tij.
Enver Gashi, drejtor i Financave në ShSKUK, ka deklaruar se gjatë vitit 2019 ka blerë banesë në vlerë 80 mijë euro.
Në pronësi të prindërit ai ka deklaruar shtëpi në 100 mijë euro, tokë pune në vlerë 120 mijë euro dhe mal në vlerë 30 mijë euro.
Në institucione financiare ai ka deklaruar se posedon 3 mijë euro, ndëra një vit më parë ai ka blerë veturë në vlerë 20 mijë euro.
Përveç pozitës si drejtori ai gjithashtu është edhe anëtari i Komitetit të Auditimit, për këtë pozitë ai paguhet 4 mijë e 800 euro në vit ndërsa si drejtor i financave paguhet 11 mijë e 400 euro.
Shefi i prokurimit në ShSKUK, Selami Krasniqi, ka para të gatshme mbi 33 mijë euro në institucionet bankare.
Gjatë vitit 2021 ai ka blerë veturë në vlerë 26 mijë e 500 euro.
Në pronësi të përbashkët ai ka mal në vlerë 20 mijë euro dhe livadhe në vlerë 10 mijë euro ndërsa në pronësi të bashkëshortës së tij është shtëpia me vlerë 230 mijë euro të blerë gjatë vitit 2009.
Për një vit ai paguhet nga buxheti i shtetit rreth 11 mijë euro.
Shefi i njësisë për Buxhet dhe Financa në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Sherif Bytyqi, përveç pozitës së shefit ai gjithashtu është i punësuar edhe në pesë kompani tjera private si kontabilist. Të hyrjat vjetore të tij kalojnë mbi 30 mijë euro. Ai posedon mbi 23 mijë euro para të gatshme në institucione bankare.
Në vitin 2018 ai ka deklaruar se ka vlerë një veturë, përmes të hyrave vetanake, në vlerë 15 mijë euro.
Ai ka shtëpi me 200 metra katror në vlerë 20 mijë euro, si dhe banesë me 35 metra katror në vlerë 35 mijë euro.
Ndërsa menaxheri i prokurimit, Fehmi Havolli, posedon shtëpi në pronësi të përbashkët në vlerë 500 mijë euro. Veturë në vlerë 6 mijë e 500 euro.
Havolli ka deklaruar se ka 676 euro e 35 cent në bankë.
Sa i përketë të hyrave vjetore ai si menaxher paguhet mbi 9 mijë e 600 euro.
Gazeta Shneta gjithashtu ka raportuar edhe për pasurinë e drejtorëve të Klinikave në QKUK, drejtorëve të Spitaleve Regjionale, Kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë dhe për pasurinë e Ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi. /Gazeta Shneta/