Ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi posedon pasuri qindra mijëra euroshe. Ai posedon edhe banesë në Shqipëri në vlerë 60 mijë euro. Ndërsa për dy vite ai ka përfituar 120 mijë euro nga shteti për shërim në një spital privat në Gjermani
Në deklarimin e fundit të pasurisë në vitin 2014 në pozitën e zëvendëskryeministrit në Qeverinë Thaqi 2, Bujar Bukoshi ka deklaruar patundshmëri në vlerë qindra mijëra euro. Ndonëse e ka deklaruar si pasuri të përbashkët, vetëm shtëpia e tij 247 metra katror kap shumën prej 400 mijë eurove.
Bukoshi poashtu posedon ambulancë 165 metra katror në vlerë 200 mijë euro. Ai ka 15 ari vreshtë si dhe tokë 1 hektarë e 15 ari, që të trija kapin vlerën rreth gati 60 mijë euro. Bukoshi posedon edhe një banesë në Shqipëri prej 72 metra katror e cila është deklaruar në vlerë 60 mijë euro. Këtë banesë ai e ka blerë në vitin 2009.
Kjo është konfirmuar edhe nga gazetari shqiptar Falmur Vezaj, i cili e ka publikuar dokumentin e Kartelës së Pasurisë së Paluajtshme të Bukoshit. Banesa gjendet në bregdetin e Qerretit në Kavajë.
Bukoshi në dy vitet e fundit po përballet me një sëmundje të rëndë. Për shërimin e tij shteti e ka ndihmuar me 120 mijë euro brenda dy vitesh. Ai është duke u trajtuar në klinikën urologjike “Urologie Maximilianstrasse” në Gjermani.
Kujtojmë se Bukoshi ka qenë ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Thaqi 1 në vitet 2007-2010. Ministria e Shëndetësisë ia ka ndarë dy herë nga 30 mijë euro, dhe po aq edhe Qeveria. Kjo e fundit është kritikuar ashpër pasi Bukoshi konsiderohet si njëri nga përgjegjësit kryesor të gjendjes së rëndë në shëndetësi, pasi ka ushtruar për tri vite pozitën e ministrit në këtë dikaster. Poashtu ndihma ndaj tij me 120 mijë euro vjen në kohën kur shumë pacientë kërkojnë ndihmë nga qytetarët për shërim jashtë vendit. /Gazeta Shneta/