Kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në hapjen e punimeve të Kongresit të VI-të të Shoqatës së Pediatërve të Republikës së Kosovës.
Të pranishëm në këtë kongres ishin punëtorë shkencorë dhe pediatër nga SHBA, Shqipëria, Turqia, Rumania, Mali i Zi.
Në hapje të punimeve kryeministri Mustafa theksoi rëndësinë që ka shëndeti i fëmijëve duke theksuar përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për këtë sektor shumë të rëndësishëm në shëndetësinë kosovare.
Kryeministri Mustafa tha se ky Kongres është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi është fjala për një moshë dhe për një popullatë e cila meriton kujdes të veçantë, duke shprehur interesimin e Qeverisë që të ofroj kujdes të veçantë.
“Është fjala për fëmijët, është fjala për gratë, për familjen që meriton kujdesin e Qeverisë dhe kujdesin e shoqërisë. Unë mund t’ju siguroj se në këtë kohë, Qeveria është e përqendruar që me vëmendje të plotë të mbështes sektorin e shëndetësisë, të mbështesim reformat në fushën e shëndetësisë”, ka deklaruar Mustafa, thuhet në njoftim.
Ai ka shtuar se Pediatria është një nga fushat me prioritet për Qeverinë edhe në strategjinë e shëndetësisë.
Megjithatë, nëse prioriteti matet me investimet vetëm në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, atëherë Qeveria ka bërë shumë pak për fëmijët.
Pediatria është një nga klinikat që më së paku ka marrë investime nga buxheti i shtetit.
“Na nuk kishim me ekzsitu nëse nuk kishim pas donacione. Shteti dhe QKUK-ja na kanë përkrahur shumë pak”, pati thënë në një intervistë drejtori i Pediatrisë Muharrem Avdiu.
Mustafa ka folur për ndërtimin e spitalit të ri të Pediatrisë, por i njëjti do të realizohet me investime të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Bejiqi: Ballafaqohemi me vështirësi të shumta
Ramush Bejiqi, kryetar i Shoqatës së Pediatërve të Republikës së Kosovës, përshëndeti të pranishmit në Kongresin e VI-të, duke theksuar ndër të tjera se numri kaq i madh i prezantuesve tregon energjinë dhe frymën pozitive të pediatërve.
“Si profesionistë, ballafaqohemi me shumë probleme dhe sëmundje të vjetra të cilat morën mijëra jetë të reja në Kosovë dhe në rajon, por edhe ende kanosin shëndetin e më të bukurve tanë, fëmijëve.
Njëkohësisht ende ballafaqohemi me problemet e reja si produkt i zhvillimit shoqëror, industrial, kulturor, pjesë e lëvizjeve dhe migrimeve masive të cilat kanë sjellë deri te dyshimet në vaksinim, dyshime në medikamente, intervenime mjekësore e kështu me radhë.
Edhe pse organizatë joqeveritare, Shoqata e Pediatërve të Kosovës nuk pajtohet me shumë gjera që ndodhin dhe po ndodhin në lëmin e Pediatrisë, dhe do të mundohemi që me punën dhe fjalën konstruktive të ndikojmë në ruajtjen e disa shërbimeve, si shërbimi parësor pediatrik, avancimin e shërbimeve terciare në Klinikën e Pediatrisë, etj.
Besojmë që përvoja jonë dhe fjala e gjallë do të pranohet nga vendimmarrësit me vetëm një qëllim, ngritjen e shërbimeve pediatrike në nivelin evropian.
Si mjek të më të dashurve tanë, fëmijëve, duhet gjithmonë por edhe në këtë Kongres të manifestojmë dashuri për profesion, maturi dhe mençuri në diagnostikim dhe kujdes në trajtim. Së paku mos të dëmtojmë”, tha Bejiqi.
Pas fjalëve hyrëse u bë edhe prezantimi i dy punimeve shkencore, nga Profesor Doktor Ramush Bejiqi nga Kosova dhe Doktoreshë Vesna Miranoviq nga Mali i Zi.