Pediatrja shqiptare flet për diabetin tek fëmijët, çfarë çdo nënë duhet të dijë

2018-08-05 në ora 18:41

Diabeti apo siç njihet në gjuhën e popullit sëmundja e sheqerit, është një çrregullim kronik. Mjekët refuzojnë ta quajnë sëmundje, për shkak se te këta persona ekzistojnë çrregullime në funksion të prodhimit të hormoneve që sjell deri te manifestimi i këtij çrregullimi metabolik.

Diabeti ka ekzistuar edhe më herët, por së fundmi numri i fëmijëve me diabet është trefishuar.

Pediatrja endokrinologe Vjosa Kotorri, tregon për KALLXO.com se diabeti i fëmijëve është një problem global.

“Shkaktarët janë të shumëfishtë. E para ne i dallojmë format e diabetit i cili është i varur nga insulina që është diabet tip 1. Organizmit zakonisht i mungon prodhimi i mjaftueshëm i insulinës të cilën e prodhon një organ i vogël që është pankreasi. Për shkak të faktorëve të ndryshëm stresi, infeksionet virale, bakteriale dhe gjithmonë predispozita gjenetike prandaj mund të themi se është çrregullim multifaktorial e donë edhe faktorin nga ambienti, por edhe bazën gjenetike me qenë aty prezentë dhe kur vjen deri te ndërlidhja e tillë atëherë vjen te një shkatërrim më i shpejtë i pankreasit dhe prodhim i pamjaftueshëm i insulinës”, tregon Kotorri.

Sipas saj, një grupi të grave ju paraqitet diabeti gjatë shtatzënisë edhe pse më herët kanë gëzuar shëndet të plotë por sipas doktoreshës kjo nuk do të thotë se fëmija do të ketë diabet kur të lind.

“Nëse nëna gjatë shtatzënisë ka pasur diabet atëherë foshnja në ditët e para të jetës mund të shoqërohet nga ndonjë problem me rënie të sheqerit nuk do të thotë që ai fëmijë do të jetë më diabet do të ketë predispozita më të mëdha sidomos nëse edhe baba ka qenë me diabet atëherë baza gjenetike ekziston, por nuk do të thotë se edhe duhet të jetë patjetër”, ka thënë Vjosa Kotorri për KALLXO.com.

Kotorri ka treguar se trajtimi i diabetit duhet të bëhet nga disa profesionistë të fushave të ndryshme.

Doktoresha Kotorri tregon se duhet të ketë trajtim nga endokrinologu, dietologu e psikologu.

“Ne nuk mund ta trajtojmë diabetin vetëm me dietë, nuk mund ta trajtojmë dikë me diabet vetëm me insulinë dhe duke e parë thirrjen multidisiplinare e kërkon angazhimin e gjithë mjekëve që të vjen deri te një qasje e drejtë. Kemi fëmijë me diabet që sot janë mjekë dhe kemi kalu shumë sfida dhe sot janë faktorë që kontribojnë në shoqëri, duke e parë këtë qasje ne nuk mund ta trajtojmë diabetin pa insulinë them të tipit 1 insulinë vartës vetëm me ushqyerje, me reduktimin e karbohidrateve nuk e mbështesim. Studimet kane treguar se nëse fëmijët janë ushqyer vetëm pa karbohidrate, por vetëm me proteina e yndyrna fëmijët e tillë kanë pasur probleme në të ardhmen. Janë privuar nga ushqimet bazike që i ka marr shoqëria dhe në të ardhmen kanë manifestuar formë të depresionit. Faktori i dytë ka qenë anemia pasi që kanë pasur mungesë hekuri dhe rreziqe për fraktura të eshtrave”, ka thënë ajo.

Sipas doktoreshës është me rëndësi që fëmijët të ushqehen shëndetshëm dhe të kenë aktivitete fizike.

“Ajo që mbështetet shumë për fëmijët në zhvillim është që përqindja e karbohidrateve në ushqyerje te jetë 40 – 50 % flasim për një organizëm në rritje dhe zhvillim, insulinën nuk duhet ta kuptojmë si një hormon që ndikon në rritje ajo ka edhe shumë elemente të tjera të cilat ndikojnë në mbarëvajtjen e funksionit të çdo qelize të organizmit tonë, prandaj duhet të kemi qasje të drejtë multidisiplinare në çdo sferë, dhënie korrekte të ushqimit, të insulinës, aktivitetin fizik dhe kuptohet edhe përkrahjen sociale”, ka treguar pediatrja Vjosa Kotorri për KALLXO.com.